Qeveria e Kosovës përkrah ndërmarrësinë dhe inovacionin
Prishtinë, 28 qershor - Ndërmarrësit kosovarë nga sot kanë një vend, një shtëpi ku mund ta fillojnë dhe të ndërtojnë biznesin e tyre.
E gjithë kjo mundësohet nga hapja e Qendrës Inovative në Kosovë, e cila ka për qëllim përkrahjen e ndërmarrësve, inovacioneve, si dhe zhvillimin e bizneseve komerciale.
Në hapjen e kësaj qendre, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi shprehu përkrahjen e kësaj iniciative: Qeveria e Republikës së Kosovës përkrah ndërmarrësinë, inovacionin e bazuar në teknologjinë informative-theksoi kryeministri Thaçi. Ai shtoi se zhvillimi i sektorit privat është prioritet për Qeverinë e Kosovës.
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila, tha se teknologjia informative është esenciale për reformat e të bërit biznes.
Me anë të teknologjisë informative, bizneset kanë qasje më të lehtë dhe më të shpejtë në dokumente. Shembull më i freskët për këtë është integrimi i sistemit për regjistrim të biznesit (marrja e dy numrave në një certifikatë të vetme), që ka shkurtuar kohën dhe shpenzimet për fillimin e një biznesi- tha ministrja Kusari Lila.
Duke treguar për rëndësinë e kësaj qendre, ajo përfundoi: Jeni ju ata që do tiu ndihmoni bizneseve të vogla të rriten, ndërsa është detyrë e jona ti mbajmë ato stabile.
Si përkrahës kryesor i kësaj qendre është Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, ku ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Sverre Johan Kvale, tha se do ta përcjellë çdo hap të kësaj qendre dhe i siguroi të gjithë të pranishmi për përkushtimin e punës së tyre në zhvillimin e mëtejmë të kësaj qendre.
Shoqata e Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës (STIK) është një nga themeluesit e kësaj qendre. Drejtoresha e kësaj shoqate, Vjollca Cavolli foli për historikun dhe sfidat që i kanë pasur deri në realizimin e hapjes së qendrës.
Qendra e Inovacionit të Kosovës ofron mundësi të mirë për të zhvilluar ide të biznesit. Kjo qendër u themelua me ndihmën e Norvegjisë, STIK, si dhe Crimson Capital.