Qeveria e Kosovës në nëntë muaj ka realizuar 48 % të planit vjetor të saj
Prishtinë, 8 dhjetor - Nesër, Qeveria e Kosovës bën dy vite nga kur është mandatuar nga Kuvendi i Kosovës për të qeverisur me vendin. FOL gjatë këtyre dy viteve ka bërë monitorimin e planit vjetor të punës si për vitin 2015 ashtu edhe për vitin 2016.
Andaj, Lëvizja FOL sot publikon të dhënat e monitorimit të zbatimit të Planit Vjetor të Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës për periudhën Janar-Shtator 2016.
FOL gjatë vitit 2016 ka monitoruar zbatimin e këtij plani në periudha 3 mujore, ku qëllimi kryesor është informimi i qytetarëve dhe mediave se sa po zbatohet plani vjetor i punës së Qeverisë. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015, Qeveria e Kosovës ka shënuar rënie sa i përket realizmit të planit të punës.
Gjatë periudhës nëntë mujore Qeveria e Kosovës kishte paraparë të përfundohen 346 aktivitete, nga të cilat 168 janë realizuar apo shprehur në përqindje 48 % dhe 159 aktivitete kanë mbetur të parealizuara apo 46%. Ndërkaq, për 19 aktivitete(5.5%) të 4 ministrive nuk kemi marr përgjigje.
Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Integrimit Evropian dhe Ministria e Punëve të Brendshme për tre mujorin e tretë nuk kanë kthyer përgjigje se sa janë realizuar aktivitetet e parapara për këtë periudhë.
Ministritë me më së paku aktivitete të realizuar janë: Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nga 64 aktivitete - 49 prej tyre nuk i kanë realizuar, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë - nga 34 aktivitete të parapara, 20 nuk i ka realizuar, Ministria e Zhvillimit Ekonomik nga 16 aktivitete 9 kanë mbetur të pa realizuara.
Zyra e Kryeministrit të Kosovës - ka paraparë 22 aktivitete për periudhën janar-shtator, ka përfunduar 15 dhe 7 të tjera kanë mbetur të papërfunduara.
Ministria e Drejtësisë - për gjashtë mujorin e parë të këtij viti ka paraparë 16 aktivitete, ka përfunduar 5 dhe 11 kanë mbetur pa përfunduar, për tre mujorin e tretë skemi marrë përgjigje se a janë realizuar 7 aktivitete të parapara gjatë kësaj periudhe.
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale - nga 23 aktivitete të parapara në Planin vjetor të punës, ka përfunduar 12 dhe 11 kanë mbetur pa përfunduar.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal - për tre mujorin e parë ka pasur 12 aktivitete nga të cilat 7 janë përfunduar dhe 5 nuk janë përfunduar në afatin e paraparë kohorë.
Ministria e Diasporës - gjatë këtij nëntë mujori nga 15 aktivitete ka përfunduar 12 dhe 3 kanë mbetur të papërfunduar.
Ministria e Punëve të Brendshme në planin Vjetor ka paraparë të përfundoj 17 aktivitete, ka përfunduar 10 dhe 7 kanë mbet të papërfunduara, për tre mujorin e tretë skemi marrë përgjigje se a janë realizuar 5 aktivitete të parapara gjatë kësaj periudhe.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik - nga 16 aktivitete të parapara për këtë periudhë, 5 i ka përfunduar ndërkaq 11 kanë mbetur të papërfunduara.
Ministria e Financave nga 21 aktivitete ka përfunduar 16 dhe 5 kanë mbetur të pa përfunduara.
Ministria për Komunitete dhe Kthim - ka përfunduar 6 aktivitetet e parapara sipas afatit të përcaktuar.
Ministria e Shëndetësisë - nga 12 aktivitete ka përfunduar 4 aktivitete dhe 8 të tjera kanë mbetur të pa përfunduara.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë - sipas planit një vjeçar të punës nga 34 aktivitete të parapara, ka përfunduar 14 dhe 20 kanë mbetur të papërfunduara.
Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës - ka përfunduar 6 aktivitete sipas afatit të caktuar.
Ministria e Infrastrukturës - për periudhën Janar-Qershor 2016, ka përfunduar 9 aktivitete nga 15 sa kishte planifikuar, ndërkaq për tre mujorin e tretë nuk kemi marrë përgjigje se a janë realizuar 4 aktivitetet e parapara gjatë kësaj periudhe.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor - ka përfunduar 15 aktivitete nga 64 sa ishin planifikuar në planin një vjeçar dhe 49 kanë mbetur të pa realizuara.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural - ka përfunduar 8 aktivitete dhe 1 aktivitet ka mbetur i pa përfunduara gjatë kësaj periudhe.
Ministria e Integrimit Evropian - nga 5 aktivitete të planifikuara gjatë periudhës Janar- Qershor 2016 i ka realizuar të gjitha aktivitetet e parapara, ndërkaq për tre mujorin e tretë skemi marrë përgjigje se a janë realizuar 3 aktivitete të parapara gjatë kësaj periudhe.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë - për nëntë mujorin e këtij viti ka paraparë 17 aktivitete, nga të cilat 8 janë përfunduar, ndërkaq 9 të tjera janë të papërfunduara.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit - kishte paraparë 9 aktivitete për këtë periudhë, ka përfunduar 7 dhe 2 kanë mbetur pa përfunduar.
Ministria e Administratës Publike kishte paraparë vetëm 6 aktivitete ku 2 i ka realizuar dhe 4 aktivitete nuk janë përfunduar sipas afatit të paraparë kohorë.
Disa nga ministritë e lartcekura kanë dërguar sqarime shtesë për aktivitetet e parealizuara, mirëpo këto aktivitete sjanë përfunduar në afatin e caktuar sipas Planit një Vjeçar të Punës së Qeverisë për vitin 2016.
Duhet theksuar se kjo fazë ka mbuluar monitorimin kuantitativ të performancës nëntë mujore të Qeverisë Mustafa të vitit 2016, ndërkaq monitorimi kualitativ i përmbushjes së këtyre objektivave do të prezantohet në fazën e dytë.