05 Nëntor 2024

Qeveria e Kosovës ndan 500 mijë euro për Shqipërinë

Prishtinë, 26 nëntor - Kontingjenti i FSK-së, Policisë së Kosovës, Ndërmarrjet Publike si TREPÇA - Një ekip të Çetës së Shpëtimit; Miniera e Artanës, një ekip të Çetës së Shpëtimit; Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Njësia e Zjarrfikësve; Kompanitë e Mirëmbajtjes të kontraktuara nga Ministria e Infrastrukturës dhe të gjitha institucionet e tjera të sigurisë, janë mobilizuar dhe janë nisur për t’i dalë në ndihmë Republikës së Shqipërisë, kjo pas vendimit të sotëm të Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur pas tragjedisë dhe gjendjes emergjente, pasuar nga tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë. 

Me të nisur mbledhja e jashtëzakonshme, kabineti qeveritar ka mbajtur një minutë heshtje në nderim të viktimave që humbën jetën pas tërmetit në territorin e Republikës së Shqipërisë, ku Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, shprehu dhimbjen për jetët e humbura në Shqipëri dhe për të gjithë të prekurit e tjerë nga kjo tragjedi.

Kryeministri në detyrë, Haradinaj ka informuar kabinetin qeveritar për hapat që duhet ndërmarrë bazuar në ligjet në fuqi për tragjedi të kësaj natyre jashtë vendit.

“Sipas Ligjit nr.04/l-177 për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, në 8 Operacionet humanitare përcaktohet se; Dërgimi i kontingjentit të FSK-së në operacionet humanitare bëhet mbi bazën e kërkesës për ndihmë nga shteti pranues, në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare, me ftesë të ndonjë organizate ndërkombëtare, apo me kërkesë të ndonjërit nga shtetet anëtare të organizatave ndërkombëtare të sigurisë si dhe me ndonjë Rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Vendimin për dërgimin e kontingjentit të FSK-së jashtë vendit për operacionet humanitare e merr Qeveria e Republikës së Kosovës, bazuar në propozimin e Ministrit të FSK-së apo cilido ministër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, varësisht se kujt i drejtohet kërkesa. Presidenti i Republikës së Kosovës pas marrjes së vendimit nga Qeveria, autorizon dërgimin e kontingjentit të FSK-së dhe njofton Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Në momentin e autorizimit nga Presidenti, Kryeministri autorizon Ministrin e FSK-së ta urdhëroj dërgimin e kontingjentit të FSK- së  jashtë vendit.

Pas vendimit të Kabinetit Qeveritar për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në ndihmë Shqipërisë, Kryeministri në detyrë Haradinaj, ka marrë vendim për dërgimin e kontingjentit të Policisë së Kosovës, të ekipeve të tjera të sigurisë nga Ndërmarrjet publike dhe vendimin për dërgimin e kompanive për mirëmbajtjen e rrugëve në Kosovë, për dhënien në shfrytëzim të makinerive të rënda, që t’u dalin në ndihmë ekipeve të kërkim shpëtimit në Shqipëri.

Po sot, Qeveria e Republikës së Kosovës, ka marrë vendim që të ndajë shumën financiare prej 500 mijë eurosh, për Shqipërinë.

Kryeministri në detyrë Haradinaj, në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka kërkuar gjithashtu që Institucionet e Kosovës, të plotësojnë të gjitha aspektet protokollare, të nevojshme, në rastet e tërmetit për Kosovën.

“Kërkoj nga institucionet publike, si spitalet, shkollat dhe institucionet e tjera, që menjëherë të adresojnë protokollet e mobilizimit për emergjenca kombëtare, duke përfshirë caktimin e personave përgjegjës, planet e evakuimit dhe personat përgjegjës ndaj këtyre emergjencave”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, lidhur me hapat dhe procedurat që duhet ndjekur në raste të tilla.

Gjithashtu përkitazi me këtë fakt, duke e ditur që edhe Kosova mund të preket nga fatkeqësi të tilla, Kryeministri në detyrë Haradinaj ka kërkuar nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, që menjëherë të bëjë vlerësimin në nivel vendi të sistemit të alarmit dhe sinjalizimit për raste të kësaj natyre dhe të ndërmerren hapat e nevojshëm që të jemi në gjendje gatishmërie.

“Në bazë të Kushtetutës dhe Ligjeve, nëse një gjendje e tillë ndodh në Kosovë, Presidenti i Republikës së Kosovës, pas konsultimit me Qeverinë dhe Kuvendin, mund të urdhërojë mobilizimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, për të ndihmuar në Gjendjen e Jashtëzakonshme”, tha Kryeministri në detyrë Haradinaj, duke sqaruar se Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës, vetëm gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, ushtron funksione ekzekutive që kufizohen në funksionet që ndërlidhen në veçanti me Gjendjen e Jashtëzakonshme.

 Gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës do të drejtohet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, sikur rregullohet me ligj. Gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës do të bashkëpunojë ngushtësisht me Qeverinë, Kuvendin dhe autoritetet ndërkombëtare.

Në fund të takimit të jashtëzakonshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Kryeministri në detyrë, Haradinaj tha se ndjehet thellësisht i prekur nga tragjedia që ka prekur Shqipërinë dhe popullin e saj.

“Mendimet dhe lutjet e gjithë popullit tonë, në këto momente janë me qytetarët e Shqipërisë, bashkëkombësit tanë, të gjithë ata që humbën jetën, familjet e tyre, familjet e të lënduarve dhe të gjithë të prekurve të tjerë nga kjo fatkeqësi”, tha kryeministri në detyrë, Haradinaj.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)