07 Nëntor 2024

Qeveria e Kosovës miratoi pakon fiskale 2.0

Prishtinë, 17 korrik - Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa, miratoi sot Pakon Fiskale 2.0, me masa të reja të politikave fiskale, të cilat lehtësojnë ndjeshëm të bërit biznes dhe fuqizojnë sektorin privat në Kosovë, si shtyllë kryesore e zhvillimit ekonomik në vend.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti tha se është punuar vazhdimisht në identifikimin e masave të reja për të lehtësuar të bërit biznes dhe për të fuqizuar sektorin privat në Kosovë.

“Siç jeni në dijeni në shtator të vitit 2015 kemi implementuar Pakon e parë fiskale, që ka ndikuar shumë në përmirësimin e kushteve të të bërit biznes dhe si rezultat i kësaj, Kosova sot rangohet shumë mirë në këtë drejtim. Ajo pako ka ndihmuar shumë në rritjen e formalizimit të bizneseve duke ndryshuar ligjin e TVSH-së, pragun e TVSH-së dhe duke ndërmarrë një varg tjetër të reformave, që kanë mundësuar rritjen e qarkullimit në ekonominë e Kosovës për rreth 2 miliardë euro në dy vitet e fundit. Kjo është bërë e mundur për shkak të lirimeve të shumta të lëndëve të para dhe të makinerisë prodhuese. Statistikat nga Banka Qendrore, nga Agjencia e Statistikave dhe nga Ministria e Financave tregojnë që bizneset kanë përfituar rreth 47 milionë euro lirime të ndryshme për lëndë të para dhe makineri prodhuese. Vetëm tek ndërmarrjet e mëdha që obligohen të raportojnë në Këshillin për Raportim Financiar të Kosovës, ka pasur rritje të ndërmarrjeve për 12 për qind dhe rritje të punësimit për 11 për qind te këto ndërmarrje. Qytetarët kanë përfituar rreth 21 milionë euro si rezultat i lirimit të TVSH-së, uljes së normës së TVSH-së nga 16 në 8 për qind për të gjitha shërbimet publike dhe për një numër të mallrave dhe shërbimeve”, tha ministri.

Ministri Hoti, më tej theksoi se më pas është vazhduar dialogu me bizneset.

“Kemi identifikuar një listë të gjatë të masave, të cilat i kemi diskutuar në dy mbledhjet e Qeverisë dhe në takime të ndryshme. Jemi dakorduar në parim në Qeveri më datë 14 dhjetor 2016 për listën iniciale të këtyre masave dhe pastaj e kemi zgjeruar dhe në muajin shkurt të këtij viti kemi pasur diskutimin në Qeveri për këto masa. I kemi shtjerr diskutimet me të gjithë akterët në ekonomi, përfshi odat ekonomike, klubin e prodhuesve, Odën Ekonomike Amerikane, Odën Ekonomike Gjermane, Aleancën Kosovare të Biznesit, Këshillin e Investitorëve Evropianë dhe Oda të tjera. Gjithashtu, edhe shoqatat brenda Odës Ekonomike i kemi konsultuar të gjitha pa përjashtim\", tha Hoti.

Sipas tij janw mbajtur katër diskutime publike në katër regjione të Kosovës, në Gjilan, Prizren, Istog dhe Mitrovicë.

\"Si rezultat i diskutimeve në terren dhe brenda në Qeveri, unë kërkoj që sot Qeveria të miratojë këto 22 masa të politikës fiskale, të cilat i kemi në dokumentin e bashkëngjitur, për të cilin kemi diskutuar dy herë në Qeveri. Tabelat që i keni të bashkëngjitura lidhur me këtë propozim-vendim përfshijnë: masat specifike; përgatitjen e bazës ligjore dhe veprimet që duhet ndërmarrë për secilën prej masave; përfshinë institucionin përgjegjës dhe atë mbështetë për zbatimin e këtyre masave; afatin indikativ kohor për zbatimin e këtyre masave dhe përafërsisht datën e hyrjes në fuqi. Disa prej masave kanë implikime buxhetore, ne jemi kujdesur që ato të implementohen në afatin kohor që mund t’i përballojë kostot buxhetore të këtyre masave. Shumica e masave janë vendime ekzekutive të Qeverisë, të ministrive ose agjencive të ndryshme. Janë 5 apo 6 masa që nënkuptojnë ndryshim të ligjeve”, tha ministri i Financave, duke kërkuar që Qeveria të miratojë këto masa dhe pastaj ministritë veç e veç të fillojnë përgatitjet e këtyre masave dhe ato masa të vijnë në Qeveri për t’i miratuar në formë të rregulloreve, udhëzimeve të ndryshme ose të vendimeve.

Zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi tha se lista e Pakos Fiskale 2, është elementi i fundit që prodhimtarinë vendore e vendos të barabartë me të gjithë prodhuesit e shteteve të regjionit.

“Më shumë ka penguar pakoja fiskale prodhimin vendor të Kosovës, sesa çdo formë tjetër e pengesës së kualitetit të makinerive. Me Pakon Fiskale 1 ne kemi lehtësuar mjetet e punës, ndërsa me Pakon Fiskale 2 të gjitha materialet do të lirohen nga dogana, në mënyrë që prodhuesit të krijojnë një substancë materiale për rritjen e kualitetit, të ardhurave personale të punëtorëve, rritjen e kuantitetit dhe rritjen e konkurrencës në tregun vendor dhe krijimin e mundësisë për të shkuar edhe në tregjet tjera. Kjo është një e arritur e Qeverisë sidomos për prodhuesit vendor”, tha zëvendëskryeministri Kelmendi.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, ka përgëzuar të gjithë ata që kanë punuar në muajt e fundit në finalizimin e listës së masave, të cilat janë përmbledhur në reformën e ardhshme fiskale, e cila u miratua si një listë, e pastaj duhen një sërë vendimesh për secilën prej këtyre masave të veçanta, në mënyrë që ato të hyjnë në fuqi.

“Janë shumë vendime të cilat do të vazhdojnë avancimin e ambientit dhe lehtësimin e ambientit të të bërit biznes, do të ndihmojnë prodhuesit vendor në të ardhmen, por unë dua ta ripërsëris pikat, të cilat edhe në mbledhjet e kaluara i kam ngritur si shqetësime dhe si propozime, për së paku sa i përket sektorit të cilin ne e mbulojmë dhe dua t’i përsëris që të jenë të evidentuara përsëri, por në momentin që merren vendime që realisht i fusin në fuqi këto masa, të kihen parasysh, sidomos tek masa e parë që flet për lirimin nga tatimi doganor për të gjitha produktet që konsiderohen si lëndë e parë për prodhim. Është e nevojshme që të rishqyrtohet dhe të mos futen prodhimet bujqësore nga vendet e huaja si lëndë e parë. Ajo e dëmton prodhuesin vendor,  pavarësisht a do të regjistrohen importuesit apo përdoruesit e lëndës së parë nga vendet e treta, nga vendet e tjera si prodhues vendor, neve nuk na duhen që të konsiderohen prodhues vendorë ata që lëndën e parë e importojnë 100 për qind dhe pastaj bëjnë prodhime “Made in Kosova” me lëndën që pastaj vjen prej vendeve tjera. Ne duhet t’i stimulojmë paraprakisht njerëzit, të cilët e përdorin lëndën e fermerëve të Kosovës që kultivohet në vendin tonë, sepse kjo i jep vlerë më të madhe ekonomisë dhe veçanërisht bujqësisë. Kjo vlen të konsiderohet dhe jo veçanërisht për frutat tropikale, si bananet, por së paku për pemë dhe perime, për ato prodhime bujqësore, kultura të caktuara, për të cilat ne kemi prodhimtari dhe kemi një konkurrueshmëri, të ketë një lloj përjashtimi.

E dyta, meqenëse kemi një masë që flet për heqjen e normës  së akcizës, mazutit në këtë rast, unë e kam mbështetur kërkesën e vazhdueshme të verëtarëve të Kosovës, që të hiqet norma e akcizës për verën e prodhuar në Kosovë, sepse ne kemi pasur stimulime dhe mbështetje edhe subvencionime në forma të ndryshme për këtë sektor, që ka arritur realisht të jetë ndër sektorët më të suksesshëm dhe më profitabil.

Vitin e kaluar ne kemi arritur të eksportojmë 5.5 milionë litra verë dhe kemi importuar vetëm 500 mijë, pra, është një sektor në rritje që ndihmon një rajon të madh të vreshtarëve të Kosovës, por është një prej pikave që i bën konkurrues ata me tregun rajonal dhe evropianë, dhe është pikërisht norma e akcizës dhe mendojmë që të shqyrtohet së paku si mundësi për një periudhë disa vjeçare heqja e akcizës për verën vendore.

Masa 13 ku flitet për një rishikim apo plotësim të ligjeve për të ardhurat e korporatave, ligjin për të ardhurat personale etj, kemi diskutuar dhe përmendet edhe rishikimi apo ulja e tatimit në burim për produktet bujqësore.

E përsëris kërkesën që të hiqet ai tatim prej 3 për qind, sepse qëllimi absolutisht ka qenë i mirë, por e ka komplikuar dhe ka rrezikuar edhe më shumë informalitetin në sektorin e bujqësisë, për arsye se tatimin në burim nuk e kanë paguar për arsye objektive fermerët prodhues, por ajo është ngarkuar tek grumbulluesit dhe tek përpunuesit.

Masa 17, që flet për trajtimin e akcizës për pijet e gazuara dhe jo të gazuara. Besoj që në të ardhmen do të finalizohet, por ne ende se kemi të vendosur a do të ketë një heqje të menjëhershme apo do të ketë një përshkallëzim të normës, e cila do të shkojë duke u zvogëluar deri në heqjen e saj. Por, pavarësisht kësaj, dua ta përsëris: akciza duhet të hiqet vetëm për prodhuesit e pijeve të gazuara  apo jo të gazuara, që së paku 50 për qind të prodhimit e kanë prodhim vendor dhe që së paku 50 për qind përdorin fruta në ato pije”, tha ministri Krasniqi.

Ministri Hoti u përgjigj në lidhje me shqetësimet që i ngriti ministri Krasniqi.

“Tek e para, ne mund të kujdesemi që gjatë procesit të përgatitjes së udhëzimit administrativ të kujdesemi që t’i adresojmë këto që i ngriti ministri, që megjithatë besoj se ministrja e Tregtisë duhet involvuar gjatë këtij procesi që të mos bie ndesh me parimet bazike të tregtisë së lirë dhe të CEFTA-s.

Tek e dyta, tek norma e akcizës për mazut në prodhim, akcizën e verës ju e rimbursoni, pra ata nuk paguajnë, e paguajnë në fakt, por ju ua ktheni prapa. Këtë e kemi bërë që të kontrollohet tregu, sepse është e pamundur që të jenë të liruar prodhuesit vendor apriori, por në fakt nuk është kosto për prodhuesit vendor.

Tek pika 13, ne kemi shkruar uljen ose rishikimin,  heqjen krejt të tatimit të mbajtur në burim dhe besoj që këtu duhet të mendojmë në mënyrë pak më strategjike se si të rregullojmë  këtë sektor, t’i identifikojmë ato produkte, me të cilat ne kemi përparësi krahasuese.

Tek pika 17, akciza tek pijet e gazuara. Ju e dini, keni qenë ministër, kur është vendosur, kjo është vendos për qëllime fiskale të mbledhjes së të hyrave për shkak të nevojave që ka pasur atëherë buxheti. Tash nuk jemi në atë situatë. Unë jam plotësisht i hapur që gjatë përgatitjes së vendimit për këtë çështje, të shqyrtojmë më në detaje”, tha ministri Hoti.

Ministri Krasniqi po ashtu foli për formën e subvencionimit të stoqeve të verërave, të cilat kanë mundur të konsiderohen si një zëvendësim, duke shtuar se pikërisht kjo nuk duhet të ndodhë më.

“Nga ky vit ne kemi ndryshuar mbështetjen për arsye edhe të hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, sepse është e pamundur që të bëjmë rimbursim të akcizës, kjo do të konsiderohej si problematike në kuptimin e konkurrencës dhe funksionimit të tregut të lirë, por pikërisht për arsyen që e përmendët, nëse një gjë e tillë nuk do të kishte një ndikim të drejtpërdrejt tek puna e tregut, atëherë besoj që kërkesa ka qenë valide. Arsyeja në fakt, pse rëndohen prodhuesit, është se akciza është obligim, i cili duhet të merret menjëherë nga ana e tyre, ndërsa subvencionimi i stoqeve bëhet diku kah pjesa e dytë e vitit, por unë e lidha me mazutin, jo që janë ekuivalente, por që kemi pasur mundësi të marrim vendim, kam shpresuar që të merret edhe ky vendim, por të shohim ndoshta mund të bëhet diçka e tillë në të ardhmen”, tha ministri Krasniqi.

Zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi ka folur për kërkesat prej prodhuesve të alkoolit, që akciza të përshtatet me kualitetin e alkoolit vendor.

“Duhet edhe akcizën për pemë dhe perime ta zvogëlojmë nga 18 në 8 për qind, për shkak që të zvogëlohet informaliteti i importuesve që po i zvogëlojnë çmimet dhe ajo po ndikon drejtpërdrejt në çmimin final në treg”, tha ai.

Kryeministri Isa Mustafa tha se duhet të merren parasysh propozimet e dhëna dhe se si të tilla të definohen derisa të nënshkruhet vendimi për aprovimin e këtyre masave, në mënyrë që të jenë pjesë të vendimit dhe që Qeveria e ardhshme ta ketë të qartë se çfarë është aprovuar rreth këtyre masave dhe çfarë jo.

“Këto që zëvendëskryeministri Kelmendi i tha se çfarë mund të merret parasysh sa i përket lëndëve të para bujqësore, akcizës për verën e prodhuar, por edhe sa i përket masës 13 dhe masës 17 dhe pijeve alkoolike. Të gjitha këto të definohen qartë në bashkëpunim edhe me ministrinë e Financave, me ministrinë e Bujqësisë dhe me zëvendëskryeministrin, në mënyrë që pastaj ajo që rrjedh në bazë të procesverbalit të jetë e përfshirë në vendimin e Qeverisë. Unë ju falënderoj shumë dhe vlerësoj se ne e kemi përmbyllur edhe këtë proces të kësaj pako fiskale i cili do të jetë i zbatueshëm për ato masa të cilat janë të zbatueshme në mënyrë të drejtpërdrejtë. Për të tjerat ministritë përkatëse duhet të sjellin vendimet përkatëse edhe natyrisht disa masa të cilat i adresohen edhe Parlamentit të ardhshëm me ndryshimin e ligjeve dhe përshtatjes së tyre”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)