08 Nëntor 2024

Qeveria e Kosovës më e mira për mbështetjen e ndërmarrësisë

Prishtinë, 14 shkurt - Në Forumin Botëror të Investitorëve Engjëj (WBAF 2017), që po mbahet në Stamboll, Kosova fitoi çmimin "Qeveria më e mirë në Evropën Juglindore për mbështetjen e ndërmarrësisë.

"Ky çmim u pranua nga ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, e cila prezantoi në këtë forum ekosistemin e ndërmarrësisë në Kosovë si dhe udhëhoqi njërin nga panelet më të rëndësishme të diskutimeve lidhur me rritjen e qasjes në financa për ndërmarrjet përmes krijimit të instrumenteve financiare inovative. 

Kosova është vlerësuar nga juria ndërkombëtare e Forumit si vendi më reformator sa i përket mbështetjes së ndërmarrjeve të reja (start-up).

Juria ka marrë për bazë reformat sa i përket fillimit, përkatësisht regjistrimit të bizneseve, duke iu referuar raportit të fundit të Bankës Botërore ku Kosova është ngritur në vendin e 13-të në nivel botëror nga vendi i 47 sa ishte një vit më parë.

Po ashtu juria ndërkombëtare ka konstatuar se Kosova ka lehtësuar procedurat burokratike, ka thjeshtëzuar sistemin e tatimeve si dhe ka ndërtuar një nga regjimet më të ulëta të taksave në Evropë, me 10 % tatim në të ardhura dhe me 0 % tatim në dividendë.  

Çmimi vjen pas një periudhe të angazhimeve serioze të Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmirësimin e mjedisit afarist në vendin tonë dhe krijimit të politikave sa më të favorshme për ndërmarrësi dhe tërheqje të investimeve.

Në Forumin Botëror të Investitorëve Engjëj (WBAF 2017) po marrin pjesë rreth 450 investitorë nga 54 vende të botës, si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore, asociacioneve të biznesit nga gjithë bota.

Ministrja Bajrami në adresimin e saj theksoi se NVM-të përbëjnë rreth 90 % të totalit të ndërmarrjeve në nivel botëror dhe janë bartëset kryesore të vendeve të punës. Megjithatë, qasja në financa është një nga vështirësitë kryesore për ndërmarrjet e reja të cilat kanë ide dhe projekte inovative, mirëpo e kanë të vështirë të gjejnë financim adekuat për jetësimin e projekteve të tyre.

Znj. Bajrami tha se duhet ta intensifikojmë bashkëpunimin në nivel ndërkombëtar për të gjetur qasje kreative në mënyrë që të mbyllim këtë zbrazëti lidhur me qasjen në financa për NVM-të të cilat deri tani kanë pasur vështirësi ose e kanë pasur pothuaj të pamundur qasjen në financa përmes sistemit tradicional bankar.

\"Është shumë rëndësishme që së bashku, institucionet qeveritare dhe ato private të eksplorojnë mundësi me qëllim të gjetjes së instrumenteve alternative për adresimin e kësaj sfide e cila, vazhdoi ministrja, do të ofronte mundësi që projektet inovative të marrin formë si biznese të suksesshme duke krijuar vende të reja pune dhe vlerë të shtuar ekonomike\", ka pohuar ajo.
  
Ministrja Bajrami theksoi se është inkurajuese që rrjeti i investitorëve engjëj po konsolidohet çdo ditë e më shumë, dhe me këtë rast, ajo u bëri thirrje investitorëve që të vijnë në Kosovë, sepse vendi ynë ka potencial dhe parakushte optimale për zhvillimin e projekteve, sidomos nga fusha e teknologjisë informative por edhe në sektorë tjerë, tha ajo.

Në margjina të konferencës, ministrja Bajrami po zhvillon takime bilaterale me udhëheqës të lartë institucionesh dhe biznesesh të rëndësishme ndërkombëtare.   

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)