Qeveria e Kosovës fillon konsultimet me FMN-në
Prishtinë, 19 mars - Ministri i Financave, Avdullah Hoti ka pritur sot në takim delegacionin e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të kryesuar nga Jacques Miniane, me rastin e fillimit të vizitës së tyre në Kosovë.
Ministri Hoti ju uroi mirëseardhje delegacionit të Misionit të FMN-së dhe i informoi ata mbi Planin Zhvillimor të Qeverisë, për reformat ekonomike e fiskale të cilat dalin nga ky plan, si dhe për Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve.
Ministri Hoti, informoi përfaqësuesit e delegacionit të Misionit të FMN-së edhe mbi vendimet e fundit të Qeverisë së Kosovës për ndryshimin e ligjeve të cilat kanë të bëjnë me tatimin mbi vlerën e shtuar, tatimin në të ardhurat personale dhe tatimin në të ardhurat e korporatave.
Ai po ashtu u konfirmoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëpunim sa më të ngushtë me FMN-në.
Ndërsa shefi i Misionit për Kosovës z. Jacques Miniane dhe ekipi i tij uruan Ministrin Hoti për zgjedhjen e tij në detyrën e re, e falënderuan atë edhe për pritjen dhe bashkëpunimin e deritanishëm dhe shprehën përkushtimin e FMN-së për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Ekipi i FMN-së do të qëndroj në Kosovë deri më 30 mars, ku përveç Ministrisë së Financave do të kenë takime edhe me përfaqësuesit e institucioneve tjera në Kosovë.