Qeveria e Kosovës do të rris pensionet me rreth 33 %
Prishtinë, 19 maj - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur drejtuesit e Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, të cilët i ka informuar për caktimin e shumës së pensioneve, e cila do të propozohet për aprovim të premten në kabinetin qeveritar.
Në takim ishin të pranishëm edhe ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi.
Ne me buxhetin për këtë vit e kemi shtuar fondin e pensioneve sidomos për pensionistët kontributdhënës. Kemi zhvilluar biseda deri më tani, qoftë përmes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, qoftë përmes Ministrisë së Financave, me përfaqësues të pensionistëve. Kemi arritur në një marrëveshje për caktimin e shumës së pensioneve, të cilën nesër do ta propozojmë që ta aprovojmë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, tha kryeministri.
Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, tha se orientimi është që pensioni bazë, pensioni më i ulët të jetë 158 euro, pensioni për ata që kanë punuar me shkolla të mesme dhe që kanë vërtetuar këtë të jetë 172 euro, pensioni për të gjithë ata që e kanë pas shkollimin e lartë të jetë 186 euro dhe pensioni për ata që kanë pasur arsimimin superior, përkatësisht diplomat e fakultetit, të jetë 230 euro. Kjo është një rritje evidente. Mesatarisht ne kemi shtuar rreth 33 për qind, mirëpo shtimet dallojnë varësisht nga struktura kualifikuese e pensionistëve. Ne kemi përcaktuar në Qeveri edhe kriteret në bazë të të cilave pensionistët do të dëshmonin kualifikimet për të cilat caktohet shuma e pensioneve, bëri të ditur kryeministri.
Më tej, kryeministri Mustafa tha se kjo është një e arritur e madhe pasi që bëhet fjalë për njerëzit që kanë punuar shumë, kanë kontribuuar gjatë, mirëpo, të cilët për shkak të ndryshimeve strukturore që janë bërë, kanë mbetur shumë keq me nivelin e pensioneve.
Kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazi, falënderoi kryeministrin Mustafa për këtë hap pozitiv, i cili sipas tij, në mënyrë institucionale e zgjidh çështjen e pensionistëve të Kosovës.
Falënderoj kryeministrin dhe Qeverinë e Kosovës për këtë hap mjaft të rëndësishëm dhe pozitiv. Edhe pse me një vonesë prej 17 vjetëve, pensionistëve po u kthehet shpresa dhe besimi edhe në Qeveri edhe në shtetin e Kosovës, për faktin se për herë të parë po zgjidhet çështja në mënyrë institucionale dhe me ligj të përhershëm, tha Kajtazi.
Ai, po ashtu, theksoi se ky është një hap i madh, ndërsa kërkoi që për këtë kategori të ketë subvencione edhe në sfera të tjera.
Asnjëherë pensionistët edhe me këtë nivel nuk janë të kënaqur, por ky është një hap i madh që u bë, një ndryshim i madh dhe falënderojmë Qeverinë dhe ministritë. Do të kërkoja para kryeministrit që me ligjet në fuqi të bëhen përpjekje që të jepen disa subvencione për këtë kategori, por edhe për kategoritë tjera, si në institucionet shëndetësore, në banja, në shërim, sikur edhe në trafikun urban dhe ndërurban, ashtu sikur ekzistojnë nëpër shtetet përreth dhe në shtete evropiane, theksoi Kajtazi, duke falënderuar edhe një herë kryeministrin Mustafa për këtë hap të madh.