29 Prill 2024

Qeveria e interesuar të rregullojë bilancin tregtar

Prishtinë, 19 prill - Qeveria është e interesuar që ta rregullojë bilancin tregtar, i cili mund të bëhet vetëm me eksport, por njëkohësisht edhe me partneritete afatgjate e të besueshme, të cilat bizneset mund të ndërtojnë përmes kontakteve të tyre, ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj.

Këto komente ministri Beqaj i bëri sot gjatë një takimi që zhvilloi me përfaqësuesit e eksportuesve të vendit, me të cilët ka diskutuar lidhur me problemet me të cilat ballafaqohen ata, ndërsa ka prezantuar projektet që janë duke u zhvilluar në kuadër të MZHE-së.

“Unë e di që shumica prej jush jeni bartës të eksporteve. Sipas të dhënave të Bankës Botërore eksportet janë mbi 200 milionë euro dhe karakterizohen me metalet bazë, pra kanë filluar shërbime të cilat tregojnë se ka një ngritje ekonomike e cila na mundëson që me produkte cilësore të jemi prezent jo vetëm në tregun rajonal por edhe në tregjet e reja”, tha Beqaj.

Ai tha se promovimi më i mirë i investimeve të huaja në Republikën e Kosovës bëhet duke trajtuar sa më mirë investitorët vendorë dhe që kontaktet e tyre të shfrytëzohen për tërheqje të investitorëve tjerë.
Ministri Beqaj ka njoftuar afaristët me fazën në të cilën ndodhen projektet si TC “Kosova e Re”, privatizimi i Distribucionit të KEK-ut, privatizimi i PTK-së dhe identifikimi i potencialeve investuese në hidroenergji, ndërsa ka nënvizuar masat e ndërmarra për reformën e ndërmarrjeve publike.
 
“Por ajo çka dua të ndaj me ju sot është që ne jemi duke planifikuar një konferencë për donatorë për energji alternative dhe për efiçiencë të energjisë. Kjo do të bëhet në bashkëpunim me BB-në në muajin korrik apo në shtator pasi t’i harmonizojmë agjendat dhe  do të jetë një ftesë e gjerë për biznesin e Kosovës dhe kontaktet tuaja që keni në rajon apo edhe me gjerë që të komunikoni me partnerët tuaj që ky një sektor të jetë sa më atraktiv”, tha ai.

Krejt në fund, ministri i ka siguruar përfaqësuesit e eksportuesve të Kosovës se kanë mbështetjen e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, ndërsa ka shprehur gatishmërinë e këtij institucioni që të trajtoj çdo problem me të cilin ballafaqohen ata në zhvillimin e aktivitetit të tyre.

Nga ana e tij përfaqësuesi i eksportuesve,  Muhame Ymeri tha se kompanitë kosovare kanë nevojë për investime kualitative dhe investime në teknologji, duke kërkuar që donatorët e jashtëm ta mbështesin industrinë përpunuese në mënyra të ndryshme, respektivisht në investime në teknologji.

“Është një e metë e kompanive kosovare për arsye se ato kanë mbetur rob i vetvetes. Nuk kanë krijuar konzorciume të fuqishme, të cilat kishin me përballu konkurrencën regjionale dhe atë në BE”, tha ai, duke ftuar kompaninë për një bashkëpunim më të ngushtë.

Me këtë rast, përfaqësuesit e eksportuesve kanë paraqitur problemet me të cilat ballafaqohen, të cilat kryesisht janë të natyrës administrative, ndërsa kanë premtuar që kontaktet e tyre biznesore do t’i shfrytëzojnë për të tërhequr investitorët e huaj.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)