Qeveria do të ndihmojë në zhvillimin ekonomik të Mitrovicës
Mitrovicë, 24 mars - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në Konferencën Informuese për Zhvillimin e Sektorit Privat në Mitrovicë, ku ka prezantuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për zhvillimin ekonomik të Mitrovicës dhe ka bashkëbiseduar me bizneset lidhur me veprimet konkrete në këtë rrugë.
Të pranishëm në këtë konferencë ishin përfaqësues të bizneseve të rajonit të Mitrovicës, ministrat Hykmete Bajrami e Avdullah Hoti, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, drejtuesit e Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve, KIESA, të Doganave, të Administratës Tatimore dhe të pranishëm të tjerë.
Kryeministri Mustafa theksoi përkushtimin e Qeverisë në përmbushjen e agjendës së zhvillimit ekonomik, duke theksuar synimet themelore të Qeverisë për krijimin e kushteve të volitshme për sektorin privat dhe punësim.
Ne synojmë që të arrijmë një zhvillim më të shpejt ekonomik në të ardhmen, përmes një shtrirje apo disperzioni të bizneseve në gjithë territorin e vendit. Synojmë po ashtu të krijojmë ambient të barabartë si brenda vendit, ashtu edhe ndërmjet firmave tona dhe atyre në tregun regjional dhe tregun evropian për bizneset, në mënyrë që ato të jenë konkurruese.\"
\"Pastaj, synojmë që të eliminojmë konkurrencën jolojale dhe pozitën monopoliste të çdo subjekti apo çdo firme që mund ta ketë në treg, të krijojmë punësim i cili bazohet në kushtet e tregut, sidomos në sferën e prodhimit.\"
\"Po ashtu, synojmë që të barazojmë kushtet e afarizmit ndërmjet sektorit publik dhe sektorit privat, sepse ka vërejtje që në këtë aspekt nuk ka barazi të plotë, andaj edhe konkurrenca në treg ndërmjet këtyre sektorëve mund të mos jetë e barabartë. Dhe përfundimisht synojmë që të përforcojmë bilancin tregtar me jashtë, në mënyrë të vazhdueshme, duke zëvendësuar produktet e importit me produkte vendore, dhe duke eksportuar më shumë produkte vendore jashtë, tha kryeministri.
Për të arritur këto synime, kryeministri Mustafa tha se është bërë Pakoja e parë fiskale, e cila ka dhënë rezultate konkrete, sidomos tek importet e pajisjeve dhe makinerisë, duke shtuar se e gjithë kjo ka bërë që në dy vitet e fundit, 2015 dhe 2016, rritja ekonomike të jetë 4 për qind në vit, më e larta në rajon.
Kemi vlerësime shumë të larta të FMN-së se Kosova është bërë prijëse në rajon sa i përket stabilitetit makroekonomik, stabilitetit buxhetor, stabilitetit fiskal dhe stabilitetit financiar përfshi edhe sektorin bankar, sepse kemi një sektor bankar që është shumë i shëndoshë dhe i qëndrueshëm, i cili në vijimësi po ul normat e interesit dhe po përmirëson kushtet e kreditimit, tha kryeministri, duke përmendur edhe vlerësimet nga forumet botërore që Kosova mori për ambientin e të bërit biznes dhe lirinë e bizneseve.
Ligji për Trepçën, sipas kryeministrit, ka mundësuar po ashtu fillimin e aktivizimit të këtij gjiganti ekonomik, ndërsa pas përfundimit të studimit të fizibilitetit, do të dihen më saktë rekomandimet se çfarë më tutje duhet bërë në Trepçë.
Sa i përket investimeve të huaja direkte, kryeministri përmendi fillimin e ndërtimit të Termocentralit Kosova e Re, investim prej një miliard eurove, që do të siguroj energji elektrike të mjaftueshme për biznese dhe qytetarë.
E kemi Ligjin për Investime Strategjike të cilin tani do të fillojmë ta implementojmë, e që në rend të parë mendojmë që të tërheqim investitorë strategjik në fushat e ndryshme, përfshirë edhe minierat dhe mineralet, por edhe në fusha tjera, jo vetëm për të rrit punësimin por edhe për të përmirësuar strukturën e tregtisë me jashtë, tha kryeministri.
Kryeministri Mustafa, po ashtu, tha se vendim tjetër me rëndësi i marrë nga Qeveria e Kosovës është edhe regjistrimi në emër të Republikës së Kosovës i pronave të ish Armatës Jugosllave dhe pronave të tjera të evidentuara në shtetin e Serbisë, vendim i marrë mbi bazën e të drejtës kushtetuese dhe sovranitetit të shtetit dhe Pakos së Ahtisaarit.
Kryeministri Mustafa, ka folur dhe për shumë çështje të tjera që lidhen me zhvillimin ekonomik, reformat fiskale dhe dimensione të ndryshme të zhvillimit ekonomik në vend, duke shprehur përkrahjen e plotë të Qeverisë për bizneset në Mitrovicë dhe më gjerë.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, tha se gjatë këtyre dy viteve janë bërë shumë përparime në ambientin e biznesit.
E kemi harmonizuar në masë të madhe legjislacionin duke përafruar atë me legjislacionin e BE-së dhe kemi eliminuar shumë barriera të panevojshme. Kemi eliminuar shumë taksa, kemi përgjysmuar disa prej tyre dhe besojmë dhe jemi të bindur në atë që sot jeta e bizneseve në aspektin e raportit të tyre me institucione është me e lehtë, tha ministrja.
Ministrja Bajrami po ashtu tha se MTI, në kuadër të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik ka marrë parasysh të gjitha çështjet e ngritura nga asociacionet e ndryshme të bizneset.
Kemi arritur që të adresojmë të gjitha çështjet tregtare të ngritura me vendet fqinje, kemi arritur që të rangohemi më mirë në raportet e Bankës Botërore dhe në disa raporte të tjera por kemi marrë shumë komente pozitive edhe nga vetë komuniteti i biznesit, tha ministrja, duke prezantuar edhe angazhimet tjera të shumta të Qeverisë për avancimin e bizneseve në Kosovë.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka njoftuar në detaje për pakon 2 fiskale dhe në përgjithësi për reformat fiskale.
Ai fillimisht ka përmendur masat e pakos së parë fiskale, duke theksuar se me atë pako është synuar krijimi i një ambienti më të mirë për biznes që nxit investime dhe punësime duke u koncentruar në sektorë që janë më shumë intensiv në faktorin punë.
Element i rëndësishëm i asaj pako të vitit 2015 kanë qenë edhe aspektet sociale, ulja e pragut të TVSH-së që ka mundësuar që shumë më tepër biznese të hyjnë në regjimin e TVSH-së dhe ta gjejnë më lehtë për të kryer transaksione ekonomike me firma të tjera, tha ministri Hoti, duke theksuar po ashtu se është hequr taksa doganore prej 10 për qind edhe për barna, vajra, disa produkte të naftës, vegla bujqësore, arin e papërpunuar dhe për produkte të energjisë.
Duke folur për pakon e dytë fiskale, ministri Hoti theksoi se kjo pako përfshin reforma konkrete në administratë tatimore, në doganë, masa tjera të reformave që lidhen me Ministrinë e Financave por edhe me ministritë e tjera, duke elaboruar të gjitha masat në kuadër të kësaj Pakoje.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, njoftoi të pranishmit për ndarjen e një sipërfaqe prej 48 hektarëve për ta shndërruar në zonë industriale.
Po shpresojmë se gjatë këtij viti do ti kemi 20 fabrika në komunën e Mitrovicës, por kemi pasur edhe një park të biznesit në të cilin janë 24 fabrika që punojnë aty, por jemi duke rishikuar edhe kontratat e tyre për arsye se disa i kanë marrë tokat dhe nuk kanë filluar të punojnë. Po mundohemi të bëjmë një qytet sesi ka qenë në aspektin e zhvillimit ekonomik, jemi duke u munduar që të bëjmë një zonë të lirë ekonomike, tha ndër të tjera, kryetari Bahtiri.