16 Nëntor 2024

Qeveria aprovon Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Buxhetin

Prishtinë, 26 qershor - E drejtuar nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, Qeveria e Kosovës zhvilloi mbledhjen e saj të rregullt, në të cilën ka aprovuar Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015 dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta.

Kryeministri Isa Mustafa po ashtu ka njoftuar kabinetin qeveritar për takimin e zhvilluar në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Kryeministri Mustafa tha se gjatë takimit të datës 23 janë trajtuar disa prej çështjeve që kanë qenë të parapara, si çështja e parimeve themelore lidhur me asociacionin e komunave, çështja e energjisë, çështja e kodit telefonik, çështja e kalimit mbi urën e Ibrit dhe poashtu është arritur që të nënshkruhet Marrëveshja lidhur me policat e sigurimit.

“Mund të them se për çështjet e tjera, sa i përket asociacionit të komunave, energjisë, për të cilat është diskutuar në mënyrë specifike, të tjerat nuk kanë arritur të diskutohen thellësisht. Kemi mbetur që të punojmë edhe më tutje në nivel të ekspertëve për të sqaruar disa çështje që kanë qenë shumë të hapura ndërmjet nesh dhe jemi marrë vesh që të vazhdojmë këtë të hënë.\"

\"Ne jemi angazhuar që të gjitha këto çështje të zgjidhen në suaza të parimeve të cilat ne i kemi përcaktuar më parë dhe unë mendoj se ashtu edhe do të ndodhë. Jemi marrë vesh që dialogu të vazhdohet për të njëjtat tema, që të mos dalim dhe të themi se kush kujt çka i tha, sepse ajo nuk na ndihmon ne që të zhvillojmë një dialog konstruktiv, por që, çështjet të cilat i kemi biseduar atje të jenë çështje të një dialogu i cili zhvillohet natyrisht nganjëherë edhe me pajtime dhe mospajtime, por që të bëjmë përpjekje që t’i përafrojmë qëndrimet duke u bazuar në parimet e domosdoshme që ne duhet t’i respektojmë, që është Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ligjet që janë në fuqi që është prona e Kosovës, që është e padiskutueshme dhe e panegociueshme.\"

\"Ne do të bëjmë përpjekje maksimale që dialogu të jetë konstruktiv dhe që zgjidhjet të jenë ato të cilat do të ndihmojnë që ne në të ardhmen t’i lëmë anash problemet të cilat i kemi tani të hapura, por edhe të orientohemi në perspektivën tonë zhvillimore dhe në mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Me aprovimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015, pas shqyrtimit dhe miratimit në Kuvendin e Kosovës, do t’i hapet rruga rishikimit të Buxhetit për këtë vit. Rishikimi i Buxhetit është bërë në afatin kohor të paraparë me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe në harmoni të plotë edhe me marrëveshjet e arritura me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Rishikimi i Buxhetit ruan kufijtë e shpenzimeve kapitale dhe mjeteve të nevojshme për funksionimin normal të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, është bërë rivlerësimi i të hyrave buxhetore, të cilat kanë qenë të mbivlerësuara, si dhe te shpenzimet buxhetore do të vazhdohet me financimin e të gjitha projekteve të investimeve kapitale, por do të vazhdojë edhe kursimi, kudo që të jetë e mundur. Kështu shpenzimet e parapara në Buxhetin e vitit 2015, do të jenë më të ulëta për 49 milionë euro.

Qeveria ka aprovuar edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, i cili ka për qëllim që rregullimi i kësaj fushe në vendin tonë të harmonizohet me direktivat dhe aktet tjera normative të Bashkimit Evropian.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)