16 Janar 2025

Qeveria aprovon Projektligjin për Investimet e Huaja

Prishtinë, 14 dhjetor - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt në të cilën ka miratuar tre projektligje, një Udhëzim Administrativ, dy rregullore, një strategji dhe katër vendime nga fushat e saja të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Kryeministri Hashim Thaçi ka përgëzuar kabinetin qeveritar dhe ministrin e Financave dhe tërë spektrin politik në Kuvendin të Kosovës për miratimin e Buxhetit të Kosovës për vitin 2013.

Kryeministri ka vlerësuar se ky është buxheti më i lartë i Kosovës deri tani dhe ai është garanci për zhvillim dhe qëndrueshmëri të Republikës së Kosovës.

Buxheti sipas tij garanton vazhdimin e projekteve të mëdha të infrastrukturës në Kosovë, duke përfshirë pjesën e autostradës nga Sllatina në drejtim të Besisë, fillimi i autostradës Prishtinë- Hani i Elezit, si dhe vazhdimin e punëve në zgjerimin e rrugëve nga Prishtina në drejtim të Pejës dhe Mitrovicës.

Ai ka theksuar se nga viti i ardhshëm do të fillojë edhe studimi i projektit për zgjerimin e rrugës që lidhë Prishtinën me Besianën.

Projektligji i parë i cili është shqyrtuar dhe aprovuar nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme është Projektligjit për Investimet e Huaja.

Kryeministri Thaçi ka thënë se ky projektligj rregullon mbrojtjen, promovimin dhe inkurajimi i investimeve të huaja në Kosovë duke u ofruar investitorëve të huaj të drejta dhe garanci fondamentale dhe të ekzekutueshme që u japin siguri investitorëve të huaj në pajtim të plotë me ligjet, standardet dhe praktikat ndërkombëtare.

Projektligji parasheh masa ndëshkuese ndaj çdo autoriteti publik që shkel apo dështon të respektojë të drejtat dhe garancitë e siguruara për investitorët e huaj dhe investimet e tyre, duke i detyruar ata që të paguajnë kompensimin për humbjet dhe harxhimet e shkaktuara si pasojë e një shkeljeje apo dështimi të tillë.

Qeveria ka vlerësuar se miratimi i këtij Ligji do të përmirësojë edhe renditjen e Kosovës në ranglistën e Bankës Botërore për kushtet e vendeve për të bërë biznes.

Projektligjit për Produktet e Ndërtimit i miratuar sot në Qeveria e Kosovës përcakton kërkesat teknike në përdorimin e produkteve ndërtimore.

Projektligji, gjithashtu përcakton edhe vlerësimin e konformitetit të tyre si kusht për vendosje në treg, distribuim dhe shfrytëzim në masën qe i plotësojnë kërkesat themelore për objektet e ndërtimit. 

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe Projektligjin për Institutin e Kosovës për Administratë Publike.

Ky projektligji i mundëson Institutit të Kosovës  për Administratë Publike funksionim më të mirë dhe përmirëson shërbimet që ofron ky Institut për Administratën Publike në nivel qendror dhe lokal me qëllim të aftësimit dhe profesionalizimit të nëpunësve civil në vazhdimësi.

Me Udhëzimin Administrativ për Cilësinë e Ujit për Konsum nga Njeriu, të cilin Qeveria e ka miratuar në mbledhjen e sotme, përcakton standardet e cilësisë së ujit për konsum nga njeriu. Veprimi kryesorë i këtij udhëzimi është mbikëqyrja e cilësisë së ujit për pije , ujit të ambalazhuar, ujit për prodhim të ushqimit dhe ujit rekreativ përmes krijimit të qendrës së monitorimit të ujit për konsum njerëzor.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar Rregullorja për Pagesën dhe Shtesat e kryetrarëve/kryesuesve dhe anëtarëve të Bordit për Rishqyrtimin e Ankesave, Komiteteve të Auditimit, Këshillit Kosovar për Raportim Financiar.

Rregullorja për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Ministrinë e Integrimit Evropian, e miratuar nga Qeveria e Kosovës, përcaktimin e strukturës së brendshme organizative të Ministrisë së Integrimit Evropian, me qëllim që t’i përshtatet kërkesave për përparim të Republikës së Kosovës në procesin e Integrimit Evropian.

Strategjia Vjetore e Borxhit për vitin 2013, miratuar sot në mbledhjen e kabinetit qeveritar, paraqet një pamje të përgjithshme të borxhit ekzistues, analizën e kapaciteteve aktuale të qeverisë për huazim, si dhe planin e financimit ndaj deficitit të parashikuar për vitin 2013. Një pjesë e konsiderueshme e boshllëkut financiar të projektuar për vitin 2013 planifikohet të financohet duke emetuar Bono të Thesarit në vlerë prej 80 milion euro.

Gjithashtu është miratuar vendimi për ndarjen e mjeteve financiare në pajtim me nenin 13 të Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2012.

Sipas këtij neni, Ministria e Financave do të bëjë ridestinimin e mjeteve të pashpenzuara nga  organizata buxhetore te ato organizata buxhetore që kanë nevojë për mjete shtesë për përmbylljen e viti buxhetor.

Kabineti qeveritar  ka miratuar edhe Vendimin Përfundimtar për shpronësimet të cilat preken nga ndërtimi i Rrugës Nacionale N9, Fushë Kosovë-Arllat–Gjurgjicë, Zonat Kadastrale, Arllat dhe Llapushnik të Komunës së Drenasit.

Është miratuar edhe vendimi për themelimin e Komisionit Disiplinor për Kryeshefin Ekzekutiv në Agjencinë për Regjistrim Civil në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Komisioni do të kryej detyrat dhe përgjegjësitë e përcaktuara me Ligjin për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës dhe Rregullores për pozitat e larta drejtuese në shërbimin civil të Republikës së Kosovës.

Me propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për aplikimin e regjimit të vizave hyrëse në Republikën e Kosovës, për shtetasit e 37 vendeve të ndryshme të botës

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)