08 Nëntor 2024

Qeveria aprovon marrëveshjet financiare prej 158 milionë euro

Prishtinë, 8 shkurt - Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të rregullt ka miratuar sot  3 Marrëveshjet financiare në vlerë prej 158 milionë euro, të cilat janë negociuar paraprakisht me Qeverinë e Francës, Qeverinë e Hungarisë, Qeverinë e Austrisë , si dhe  ka miratuar Garancinë Shtetërore me BERZH-in për Linjën e Dytë Kreditore për Fondin për Sigurimin e Depozitave të Kosovës në vlerë prej 24 milionë euro.

Ministri i Financave Avdullah Hoti në prezantimin e këtyre marrëveshjeve para kabinetit qeveritar, në lidhje me Projektligjin për Marrëveshjen Financiare me Qeverinë e Austrisë, bëri të ditur se ”Çështja kryesore e trajtuar në këtë Projektligj është ratifikimi i Marrëveshjes për Bashkëpunim Financiar në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë e përfaqësuar nga Ministria Federale e Financave, marrëveshje kjo e cila i mundëson Qeverisë së Republikës së Kosovës marrje të huas nga Qeveria Austriake në vlerë deri në 30,000,000.00 € për investime në projekte të ndryshme kapitale”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, në Programin e saj 2015-2018 ka paraparë investime në sektorin e ujërave, si për përpunimin e ujërave të zeza gjithashtu edhe në investimin në përmirësim të furnizimit me ujë të pijes. Sektorë tjerë që marrëveshja do të përfshijë janë edhe ai i shëndetësisë, edukimit, bujqësisë etj.\"

\"Investimet në sektorët e lartpërmendur kontribuojnë në implementimin e Programit të Qeverisë. Me këtë marrëveshje, Qeveria Austriake i jep mundësi  Qeverisë së Republikës së Kosovës të marr hua në vlerë deri në 30,000,000.00 €, prej të cilave veç se janë dedikuar 5 milionë për projektin e Ministrisë Arsimit - E-Edukimi, si dhe 2.6 milionë për projektin e Ministrisë së Shëndetësisë – Kardiologjia, që do të thotë se kanë mbetur edhe 22.4 milionë euro për tu investuar”, shtoi Ministri Hoti.

Ministri Avdullah Hoti  në lidhje me Projektligjin për Ratifikimin e Protokollit Financiar në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës Franceze, dhe të Marrëveshjes për Hua për zbatimin e këtij Protokolli ndërmjet Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesit të Qeverisë Franceze – NATIXIS, bëri të ditur se “ Më 5 korrik të vitit të kaluar kemi nënshkruar Protokollin Financiar për bashkëpunim ndërshtetërorë me Qeverinë Franceze.\"

\"Në këtë marrëveshje është parashikuar nënshkrimi i marrëveshjes për Hua për financimin e Projektit të trajtimit të ujërave të zeza në Komunën e Prishtinë, Fushë-Kosovës dhe Obiliqit. Më 19 janar të vitit aktual kemi nënshkruar edhe Marrëveshjen për Hua me ç ‘rast i kemi kompletuar Marrëveshjet e nevojshme për fillimin e përgatitjeve për realizim të projektit në fjalë.  Kjo Marrëveshje ka një vlerë totale 66 milionë euro, normë efektive të interesit vjetorë 0.036%, grejs periudhë 5 vite, si dhe një periudhë të kthimit 25 vite” .

Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Qeverisë Hungareze për themelimin e programit kornizë për bashkëpunim financiar, sipas ministrit Avdullah Hoti është një Kornizë për bashkëpunim financiar në mes të dy shteteve tona për financimin e projekteve në sektorët e ujërave/ujërave të zeza si dhe infrastrukturës.

Sipas tij, Marrëveshja me Qeverinë e Hungarisë ka një vlerë totale 62 milionë Euro, normë efektive të interesit vjetorë 0.00%, grejs periudhë 1.5 vite, si dhe një periudhë të kthimit 17 vite.

Ndërsa, sa i përket miratimit të Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Garancisë për FSDK-Linja e Dytë Kreditore për Fondin për Sigurimin e Depozitave të Kosovës ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (MF), ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se “Ministria e Financave pas dhënies se pëlqimit nga Qeveria e Republikës së Kosovës për emetimin e garancionit shtetëror ndaj BERZH-it për Linjën e Dytë Kreditore për Fondin për Sigurimin e Depozitave të Kosovës (FSDK),  aprovimit të Qeverisë për nismën e negociatave dhe  autorizimit të pranuar nga Presidenti i Kosovës, ka zhvilluar negociatat me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH-in) dhe kemi nënshkruar Projektligjin për Marrëveshjen Ndërkombëtare të Garancisë Shtetërore për Linjën e Dytë Kreditore për Fondin për Sigurimin e Depozitave të Kosovës (FSDK).

“Vlera financiare e kësaj marrëveshje është  24 milionë euro e ndarë në tri transhe: 14 milionë zotohen me rastin e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes Financiare, 6 milionë të pa zotuara por për t’u bërë efektive në vitin 2018 (me rastin e rritjes në nivelit të shumës së depozitës së siguruar nga 4,000 në 5,000 Euro), si dhe 4 milionë për t’u bërë efektive në vitin 2020 (me rastin e skadimit të Linjës së parë kreditore)”, shtoi Ministri Hoti.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)