Qendra e Thirrjeve në ATK inkason 13.8 milion euro
Prishtinë, 1 nëntor - Qendra e Thirrjeve në Administratën Tatimore të Kosovës sot ka shënuar 7 vjetorin e themelimit.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, Qendra e Thirrjeve ka kontaktuar dhe komunikuar me tatimpagues, gjithashtu ka krijuar dhe ka përdorë metoda të përshtatshme dhe me kosto efektive, për tatimpaguesit që e kanë kontaktuar Qendrën e Thirrjeve.
Detyra e kësaj qendre është të bisedohet me tatimpagues dhe të përcaktohen cilat veprime kërkohen për të zgjidhur çështjet e tatimeve të pashlyera, të përshpejtohen veprimet e tilla të ndërmarra, në mënyrë që tatimpaguesit të bëhen të rregullt, si dhe të zgjidhen të gjitha çështjet e hapura tatimore.
Aktivitetet e QTH janë shtuar nga viti në vit, gjithashtu rritje kanë pasur edhe në rezultatet e të gjitha aktiviteteve.
Për 7 vite punë kjo qendër ka kontaktuar 256,291 tatimpagues, ku si rezultat i thirrjeve tefefonike të kësaj qendre me tatimpagues, nga fillimi i funksionimit e deri me tani janë inkasuar 13.8 milion euro.
ATK, vazhdimisht është duke zhvilluar aktivitete për të ngritur transparencën në shërbimet ndaj tatimpagueseve, të cilët do të kenë më të lehtë informimin dhe kryerjen e obligimeve në mënyrë vullnetare.