05 Maj 2024

Qëllimi i Ligjit të Prokurimin Publik, asnjëherë nuk është arritur

Prishtinë, 3 korrik - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) )/Transparency International Kosova (TIK), në kuadër të projektit “Transparenca dhe Llogaridhënia në Prokurimin Publik, ka organizuar të martën një takim publik ku është diskutuar për “Legjislacionin mbi prokurimin publik, përparësitë dhe mangësitë”.

Me këtë rast, KDI/TIK edhe ka publikuar një analizë të legjislacionit mbi prokurimin publik.

Merita Mustafa, menaxhere e programit të KDI-së “Transparenca dhe Antikorrupsioni”, duke prezantuar analizën ka vlerësuar se për versionin e ri të këtij ligji KDI, por edhe Raporti i Progresit thekson se ligji aktual ka përparime, pasi sipas saj, e rregullon shumicën e mangësive të ligjit paraprak, si dhe rrit në masë të konsiderueshme përputhshmërinë me standardet evropiane.

Mustafa ka folur edhe për qëllimin e Ligjit, e që siç tha ajo, asnjëherë nuk është arritur.

“Për shembull, Ligji ka për synim shfrytëzimin më të drejtë, më efikas dhe më ekonomik të parasë publike - e që në realitet jemi dëshmitarë se nuk është duke ndodhur, si fakte janë çmimet enorme të kontratave, kualiteti i dobët i punëve të kryera, mos fillimi dhe mos përfundimi i projekteve me kohë.

Pastaj ligji po ashtu thotë se ka për qëllim krijimin e ambientit konkurrues dhe jo diskriminues në prokurim, e që zakonisht ndodhë e kundërta”, ka deklaruar Mustafa.

Latif Gashi nga Komisioni për Buxhet dhe Financa ka folur kryesisht për veprimtarinë e këtij komisioni karshi fushës së mbikëqyrjes në prokurimin publik.

Ai ka folur edhe për përmbushjen e sfidave që dalin nga Raporti i progresit i Komisionit Evropian.

“Komisioni për Buxhet dhe Financa do të monitorojë progresin e arritur në fushën e prokurimit publik dhe adresimin e sfidave të raportit të progresit nga institucionet përkatëse dhe do të kërkojë raportim për rezultatet e aritura dhe hapat e ardhshëm që priten të bëhen”, ka thënë Gashi.

Ndërkohë, Safet Hoxha, kryetar i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), e ka potencuar rëndësinë e standardizimit të sistemit ligjor të Kosovës me atë të BE-së, duke e quajtur këtë një proces dinamik dhe që do të kërkojë ndryshime të vazhdueshme.

Ai përmendi edhe faktin e uljes nga 15 % në 6 % të përdorimit të procedurave të negociuara pa-publikim, si një sukses i institucioneve të vendit.
 
Nga ana tjetër, Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka folur në bazë të analizave që ky institucion si përfaqësues i drejtpërdrejtë i biznesit, i ka bërë.

Ai e ka kritikuar anulimin e aktiviteteve të prokurimit publik pa arsye, sepse po u kushton bizneseve edhe me kohë, duke shtuar se një biznesi mesatarisht i duhen 2 muaj kohë me 5 punëtorë aktiv për të përgatitur një dosje të tenderit.

Zeka po ashtu ka kritikuar edhe faktin që shumë shpesh po zgjidhet çmimi më i ultë si bazë për zgjedhjen e ofertave më të mira, dhe edhe pse në afat të shkurtër po ka arsyeshmëri, por në afat të gjatë kjo përzgjedhje nuk po e jep efektin e kërkuar në cilësi dhe në mirë-menaxhim të parasë së taksapaguesve.

Ndërsa, Menderes Ibra nga Ministria e Financave, ka thënë se ndryshimet e fundit në Ligj, kanë reflektuar edhe me ndryshimin organizativ dhe institucional.

Ai ka njoftuar se nga viti 2013 Ministria e Financave ka planifikuar prokurimin e centralizuar, siç tha ai për të arritur kursime, ekspertizë dhe planifikim paraprak.

E nga ana tjetër, pjesëmarrësit tjerë në këtë debat kanë diskutuar edhe për aspekte të tjera të fushës së prokurimit publik, siç është prokurimin elektronik, lista e zezë për bizneset, monitorimi i zbatimit të kontratave, etj.







 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)