PwC: Kina do të udhëheqë zhvillimin ekonomik global në 3 dekada
Raporti me titull \"Parashikimi i rendit ekonomik botëror deri në vitin 2050\" thekson se 7 ekonomi në rritje do të mbizotërojnë deri në vitin 2050, në krye të të cilave do të jetë Kina. Kryeekonomisti i firmës ndërkombëtare, John Hawkesowrth është shprehur optimist për të ardhmen financiare të Kinës, duke besuar se ky vend do të vazhdojë të udhëheqë rritjen e ekonomisë globale në një periudhë afatgjatë.
Sipas tij, rritja e GDP-së së Kinës në 6.7% është e shëndetëshme dhe e arsyeshme.
\"Besoj se në një periudhë të shkurtër, Kina do të vazhdojë rritjen në rreth 6 dhe 7%, ashtu siç ka ndodhur në dy vitet e fundit. Kjo është një mënyrë e qëndrueshme e rritjes. Sigurisht që nuk është aq e shpejtë sa rritja 10%, e dy apo tre viteve të mëparshëm, por është normale për një ekonomi të pjekur të ribalancojë konsumin e brendshëm\", tha Hawkesworth.
Ai shtoi se niveli i rritjes është disa herë më i shpejtë se sa i shumicës së ekonomive të zhvilluara perëndimore, me një rritje vjetore prej 2%.
Në raport gjithashtu theksohet se investimet efektive dhe të vazhdueshme në një sërë fushash, si arsimi, infrastruktura, teknologjia e lartë mund të ndihmojë në ruajtjen e rritjes ekonomike afatgjatë. Kryeekonomisti nënvizoi se optimizmi i tij mbështetet në një koncept të hapur, bashkëpunues dhe të fitimit të ndërsjellë në zhvillimin global, që është zbatuar vitet e fundit nga liderët kinezë.
\"Duhet theksuar se parashikimet tona kushtëzohen nga ruajtja e një klime të hapur të tregtisë globale dhe duke shmangur proteksionizmin. Kjo ishte inkuarajuese gjatë Samitit të Davosit, ku presidenti kinez bëri një deklaratë pozitive në favor të tregtisë së lirë globale. Mendoj se është me rëndësi të ecet përpara në rritjen globale\", tha kryeekonomisti.
Raporti ka vlerësuar 32 vende të botës, bazuar në parashikimin e GDP-së së tyre në vitet 2030 dhe 2050.