19 Maj 2024

Pushimi i lehonisë - problem për punësim

Prishtinë, 10 qershor - Ligji i punës, neni 49 - Pushimi i lehonisë, sipas organizatave ekonomike në Kosovë nuk është në harmoni me situatën e tanishme ekonomike në Kosovë, me të cilën bizneset po ballafaqohen.

Këta të fundit kërkojnë që ky nen të pësojë ndryshime, në të kundërtën, siç thonë ata, bizneset kanë filluar të evitojnë punësimin e femrave.

Hulumtimet e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë tregojnë se neni 49, në vend që të mbrojë gratë, inkurajon diskriminim ndaj femrave në fazën e punësimit.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, thotë se duke marrë parasysh fazën e tanishme të zhvillimit ekonomik dhe kushtet, me të cilat përballen bizneset në Kosovë sa i përket qarkullimit të parasë dhe qasjes në financa, është vërtetuar se neni 49 e rritë barrën e bizneseve kosovare.

“Arsyetimi ynë qëndron në faktin se dispozitat e pushimit të lehonisë paraqesin një barrë shumë të madhe për punëdhënësin në Kosovë , pasi që siç është paraparë me ligj për 6 muaj me radhë duhet të mbulojë pagën për femrat dhe pastaj vazhdon sipas sistemit që për tre muaj të mbulohet sipas institucioneve përkatëse”, thotë Zeka.

Që t’i shmangen kësaj barre, sipas Zekës, bizneset kanë filluar të evitojnë punësimin e femrave në procesin e rekrutimit. Në praktikë, thotë ai punësimi i femrave nga bizneset private ka përjetuar pasoja negative, që do të thotë, komuniteti i biznesit është dekurajuar që të punësojë gra për shkak të frikës së një barre financiare të papërballueshme.

“Bizneset haptas e kanë pranuar se çdo herë e më shumë i ikin punësimit të femrave ose së paku aplikojnë kontrata afatshkurta me femrat, pasi që në momentin që iu paraqitet atyre që të shkojnë në pushim të lehonisë, iu ndërpritet kontrata. Unë mendoj që kjo është shqetësuese dhe nga ky këndvështrim duhet të shihet mundësia e ndryshimit të pushimit të lehonisë”, thekson Zeka.

Në anën tjetër, Hamide Latifi, drejtoreshë e organizatës joqeveritare “Gratë në Biznes”, thotë se sa i përket Ligjit të punës me theks të veçantë tek neni i Pushimit të lehonisë, nuk po zbatohet.

“Nuk po them se është mirë apo keq, por po them se bizneset nuk stimulohen me këtë ligj dhe ato dëshirojnë që të ikin nga zbatimi i tij, ashtu siç po ndodh, njësoj si edhe fakti se edhe gratë po ikin nga mbetja shtatzëne ose nga lindja e fëmijëve. Ne jemi dëshmitarë se nataliteti po bie në Kosovë për arsye se me lindjen e fëmijës rrezikojnë vendin e punës së tyre dhe në fund edhe ekzistencën”, thotë Latifi.

Edhe zonja Latifi thotë se duhet të rishikohet neni 49 i Ligjit për pushim të lehonisë, por gjithsesi, siç thekson ajo, ato nene që janë tani detyrimisht duhet të përmbushen pavarësisht nëse me to ngarkohen punëdhënësit apo Qeveria.

Latifi thekson se ky ligj ka ndikuar në nivelin e punësimit të grave, sidomos, siç thotë ajo, grave të reja, të cilat akoma nuk e kanë filluar  rrjedhën e formimit të familjes.

“Me siguri po në sektorin privat, për arsye se njerëzit kur punësojnë punëtoret e tyre, shikojnë gjitha rrethanat dhe shikojnë që marrin punëtor që mungojnë sa më pak nga puna për arsye se secili dëshiron që të sigurojë biznesin dhe mbarëvajtjen e biznesit të vet”, thekson Latifi.

Ndryshe, me Ligjin e punës, i cili ka hyrë në fuqi në fillim të vitit 2011 pushimi i lehonisë iu mundëson femrave të punësuara të drejtën prej dymbëdhjetë muajsh pushim lehonie.

Për gjashtë muajt e parë të pushimit të lehonisë, pagesa bëhet nga punëdhënësi me kompensim 70 për qind të pagës bazë.

Tre muajt në vijim, pushimi i lehonisë paguhet nga Qeveria e Kosovës me kompensim 50për qind të pagës mesatare në Kosovë.

Femra e punësuar ka të drejtë me këtë ligj që ta zgjasë pushimin e saj të lehonisë edhe për tre muaj të tjerë pa pagesë.(REL) 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)