Punëtorët Trustit më të paguarit në Kosovë
Prishtinë, 20 gusht - Punëtorët e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK), janë më të paguarit në Kosovë.
Paga e drejtorit gjeneral Adrian Zalli, është më e madhe se 5200 euro në muaj e që është e barabartë me pagat e pesë ministrave në Qeverinë e Kosovës.
Po ashtu, paga e drejtorit të FKPK-së është shumë më e madhe edhe në raport me pagat e drejtueseve tjerë të institucioneve të rëndësishme të pavarura në vend.
Paga mujore e ish- guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Gani Gërguri, ka qenë rreth 3500 euro në muaj. Po kaq, është edhe paga mujore e Shkëlzen Llukës, i cili ka kohë që mban pozitën e drejtorit në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Por, nuk janë vetëm menaxherët në FKPK që marrin paga të larta. Në bazë të një përllogaritje del se paga mesatare në këtë institucion është 1300 euro, rreth katër herë më e madhe se sa është paga mesatare në vendin tonë.
Por, përveç pagave, punëtoret e FKPK-së kanë edhe benificione tjera e që nuk i kanë institucionet publike e të pavarura në vend.
/Zëri/