20 Nëntor 2024

Punëtorët protestojnë më 29 maj

Prishtinë, 27 maj - Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi, ka deklaruar për se deri më tani të gjitha organizimet kanë shkuar sipas planit dhe se nuk ka ndonjë ndryshim. “Nuk e kemi ndryshuar planin. Nuk kemi pasur asnjë kërkesë nga askush që ta shqyrtojmë shtyrjen e protestës, prandaj do ta mbajmë protestën më 29 maj”, ka thënë ai


Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) i ka bërë të gjitha përgatitjet protestën që ta mbajë më 29 maj. Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi, ka deklaruar për gazetën se deri më tani të gjitha organizimet kanë shkuar sipas planit dhe se nuk ka ndonjë ndryshim. “Nuk e kemi ndryshuar planin. Nuk kemi pas asnjë kërkesë nga askush që ta shqyrtojmë shtyrjen e protestës, prandaj do ta mbajmë protestën më 29 maj”, ka thënë ai.

Kryetari Arifi ka thënë se punëtorët e Kosovës do të protestojnë atë ditë për gjendjen tyre që është shumë e keqe, sidomos në sektorin privat. “Jemi konsultuar me të gjitha degët tona që janë të shtrira në të gjitha pjesët e Kosovës. Jemi njoftuar se dinamika e planit tonë ka shkuar mirë dhe nuk ka pasur asnjë pengesë”, ka bërë me dije ai. Arifi ka deklaruar se më 29 maj, duke filluar nga ora 11:55 në sheshin “Nënë Tereza”, në Prishtinë do të fillojë protesta. Kurse sa iu përket zërave të fundit se nuk ka unitet në BSPK, ai ka thënë se, përveç BSPK-së, asnjë sindikatë tjetër nuk ka kompetenca për përfaqësimin e punëtorëve në vend dhe se e njëjta vepron mbi ligjet dhe rregulloret e dala nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës.

“E ftojmë gjithë klasën punëtore që më 29 maj t’i bashkëngjitet protestës në mënyrë të qetë, dinjitoze, pa dëmtuar, pa thyer e pa shkatërruar”, ka deklaruar ai. Sipas tij, kërkesat që do të parashtrohen në protestën e 29 majit janë: Zbatimi i ligjeve për të drejtat e punëtorëve në praktikë; Nënshkrimi i marrëveshjes kolektive; Zbatimi i marrëveshjes për pagën minimale. “Po ashtu do të kërkohen: Miratimi i ligjit për pensionistët; Pranimi i stazhit të punës për vitet 1990-99; Krijimi e fondit social për punëtorët që privatizimi i la pa punë dhe funksionimin e Odës së Veçantë të Gjykatës Supreme për 20 për qind nga privatizimi i ndërmarrjeve”, ka theksuar ai.

Arifi ka bërë me dije se protesta është mbështetur edhe nga organizata të tjera joqeveritare, duke përfshirë edhe organizatat studentore. “Kemi pasur takime edhe me përfaqësues dhe organizata të ndryshme, sikur janë ato studentore. Ata na kanë dhënë përkrahje për këtë protestë, e cila është për të mirën e të gjithë punëtorëve dhe të drejtave e tyre”, ka bërë me dije ai.

Vetëm një organizatë studentore përkrah protestën

Deri më tani vetëm lëvizja studentore për barazi-STUDIM KRITIKË VEPRIM e ka mbështetur organizimin e protestës së BSPK-së. Nëpërmjet një komunikate për media kjo lëvizje studentore ka vlerësuar se që nga paslufta situata sociale e politike në Kosovë është shumë e rëndë. “Qeveria e Kosovës në vend se të merret me zhvillimin e ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës, po vazhdon e intensifikon dy proceset tepër të dëmshme për shtetin e Kosovës: Negociatat pa kushte me Serbinë dhe procesin e privatizimit të ndërmarrjeve publike të Kosovës. Qeveria e Kosovës po merret me këto dy procese, pasi është e korruptuar dhe e shantazhuar dhe pasi këto dy procese janë të pashkëputshme mes vete”, është thënë në komunikatë.

Sipas po kësaj komunikate, “në mandatin e fundit të qeverisjes Thaçi është privatizuar distribucioni i KEK-ut (KEDS-i), PTK-ja dhe njëkohësisht është arritur marrëveshja në mes të Thaçit dhe Daçiçit për, siç thonë ata, ‘normalizimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore’.

Marrëveshje kjo, e cila, përpos që krijon autonomi për komunitetin serb në çdo aspekt, ia jep të drejtën në pronë Serbisë mbi ndërmarrjen ‘Trepça’, liqenin e Ujmanit etj. Kjo mendësi qeverisëse po e bën të pamundshëm jetën e qytetarit në Kosovë. Derisa gjysma e popullsisë është e papunë, pra çdo i dyti njeri në Kosovë në anën tjetër, edhe ata që punojnë nuk gëzojnë as të drejta minimale. Shkelja e të drejtave të punëtorëve është si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Mosrespektimi i orarit 8 orësh, duke vazhduar të punojnë pa kontrata të punës, duke mos pasur rrogë minimale të garantuar, duke mos qenë të mbrojtur nga ligji në rast të lëndimit apo rrezikimit të shëndetit të tyre, mospagesa për orët shtesë etj.

Punonjësit e vendit tonë janë të shfrytëzuar rëndë, trajtohen ç’njerëzishëm ndërsa paguhen vetëm sa për mbijetesë”, është thënë në komunikatën e kësaj lëvizjeje studentore, sipas së cilës, “ngjashëm është gjendja edhe te studentët”.

“Në Universitet janë rreth 50 000 studentë, të cilët nuk llogaritën si të papunë. Përderisa padrejtësisht paguajnë për t’u arsimuar në universitet publik, ata nuk gëzojnë as edhe të vetmin shërbim nga universiteti, duke hasur në shumë vështirësi banimi, ushqimi si dhe probleme të tjera lidhur me literaturën. Pra, edhe ky universitet është shndërruar në biznes, dhe duke pasur si qëllim kryesor fitimin financiar e jo atë të dijes, po shkon drejt një privatizimi.

Termin punëtor në Kosovë pushteti po përpiqet çdo ditë ta zbrazë nga kuptimi duke e lënë veç formalisht në shkresa. Në Kosovë po rritet çdo ditë numri i ish-punëtorëve dhe atyre që kthehen në të papunë pasi mbarojnë studimet e larta apo të mesme. E ndërsa ata që e kanë ende një punë në shumë raste janë kthyer në të shfrytëzuar nga shfrytëzues që nuk u binden as ligjeve e as rregullave për të drejtat e punëtorëve”, është bërë me dije në komunikatë, duke shtuar se “gjendja në të cilën jemi sot nuk na lë hapësirë për qetësi, por doemos na thërret për organizim e bashkim gjithëqytetar”.

“Andaj, duhet të ngrihemi të gjithë së bashku kundër këtij pushteti të padrejtë. Lëvizja studentore për barazi-STUDIM KRITIKË VEPRIM mbështet fuqishëm organizimin e protestës së BSPK-së që është paralajmëruar të mbahet më 29 maj. Jemi në dijeni se kohën e fundit ka pasur shumë përçarje brenda BSPK-së, por mendojmë se është esenciale që këto të tejkalohen.

Ne mendojmë se të gjithë punëtorët duhet të bashkohen në sindikatë dhe populli duhet të bashkohet me sindikatën kundër Qeverisë. Duhet të punojmë që në shesh të takohen mes vete studentë, profesorë, mjekë, inxhinierë, minatorë, pensionistë, veteranë etj.

Të gjithë së bashku duhet të ngrihen dhe të kërkojnë të drejtat e tyre. Ta kërkojnë ndryshimin. Lëvizja studentore për barazi-STUDIM KRITIKË VEPRIM do të punojë që pjesëmarrja në protestë të jetë e madhe dhe paralajmëron se do t’i mbështesë dhe do të organizojë aktivitete të tilla e të ngjashme si kjo protestë”, është thënë në komunikatën e lëvizjes studentore për barazi-STUDIM KRITIKË VEPRIM.(Epoka e re)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)