15 Nëntor 2024

Punëtorët në Kosovë, të ndarë dhe të nëpërkëmbur

Prishtinë, 1 maj - Me rastin e Një Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, Lëvizja VETËVENDOSJE! dëshiron të sjellë edhe një herë në vëmendje problemet e mëdha që përjetojnë në Kosovë punëtorët gjithnjë e më të paktë dhe të papunët gjithnjë e më të shumtë.

 

Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Punëtorëve, le t’ua kujtojmë të gjithëve se punëtorët e Kosovës e kanë të mohuar kontributin e tyre në ekonominë kombëtare, dhe po shtyhen gjithnjë e më shumë në emigracion apo në papunësi. Në emër të një projekti kolonial, atyre po iu imponohen kushte gjithnjë e më të vështira, shoqëruar nga një projekt intensiv shkombëtarizimi prej forcave qeverisëse që janë njëherazi servile në planin ndërkombëtar, të përulura ndaj vijimit kolonial të shfrytëzimit serb të Kosovës, si dhe shtypëse të punëtorëve e kundërshtuese të të drejtave të tyre.

 

Për të kuptuar gjendjen e punëtorëve në Kosovë, mjaft të shihet gjendja e ekonomisë së Kosovës. Gjigandët industrialë të Kosovës janë privatizuar e janë shkatërruar, duke lënë pa punë shumë kuadro e punëtorë të kualifikuar. Prodhimi është dëmtuar rëndë nga importi i pakontrolluar dhe nga mungesa e mbrojtjes prej qeverisë. Ndërsa kapitali vendor është në masë të madhe i përqendruar në sektorë si ndërtimi, bankat, mediat apo shërbime të tjera. Fatkeqësisht, punëtorëve në këto sektorë rrallë u njihen të drejtat kontraktuale e u paguhen kontratat. E këto sektorë, sidoqoftë, punësojnë shumë pak njerëz, gjë që për shumicën lë si zgjidhje vetëm mërgimin.

 

Ekonomia e Kosovës duhet të ndryshojë rrënjësisht. Kosovës i duhet një klasë e mesme e shëndetshme dhe një klasë punëtore vitale, që të ketë mundësi të ecë përpara në aspektin e qëndrueshmërisë ekonomike, drejtësisë sociale dhe emancipimit kombëtar. Por që kjo të mbërrihet, duhet të ndryshojë koncepti politik i atyre që drejtojnë vendin. Shkollimi, prodhimi e punësimi duhet të shndërrohen në një trinom të konceptuar si të pandashëm. Kjo është alternativa e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për një Kosovë së cilës i kthehet shpresa dhe dëshira për të punuar, për një popull të cilit i jepet mundësia për punë të dinjitetshme, për një punëtor i cili bëhet themel i projektit sovran të së ardhmes së vet dhe të kombit të vet.

 

Në Një Maj ne nuk i urojmë punëtorëve festën, por i bëjmë thirrje që punëtorët e të papunët të bashkohen me klasën e mesme, në mënyrë që të prodhojnë një fuqi politike të aftë për të balancuar interesat vetjake të klasës së sipërme, të cilat gjer më sot po sundojnë të pashqetësuara në një Kosovë gjithnjë e më të pabarabartë. Vetëm së bashku mundemi!
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)