Punësimi në Kosovë, mbi baza familjare, ryshfetit dhe partisë
Prishtinë, 12 maj - Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka vlerësuar se mandati i Qeverisë Thaçi po identifikohet me tri çështje kryesore: papunësia, varfëria dhe korrupsioni.
Rreth 77 për qind të qytetarëve vlerësojnë se këto tri probleme si më të rëndat në Kosovë në vitet e fundit.
Lidhja Demokratike e vlerëson shqetësues faktin se punësimi në institucione qeveritare po bëhet mbi baza të lidhjeve familjare, ryshfetit dhe përkatësisë partiake. Gjatë vitit 2012, Qeveria Thaçi ka rritur punësimin në institucione qeveritare për mbi 900 persona.
Anketat e fundit nga organizata ndërkombëtare, tregojnë se ky punësim është bërë në bazë të lidhjeve familjare dhe miqve në 38 për qind të rasteve, ryshfetit në 24 për qind të rasteve dhe përkatësisë partiake në 13 për qind të rasteve.
LDK po ashtu thekson se niveli arsimor është shumë më pak i rëndësishëm për tu punësuar, vetëm 12 për qind.
Si rezultat sipas LDK-së administrata publike është bërë jo profesionale dhe e mbushur me militantë partiakë.
"Qytetarët dhe bizneset në Kosovë duhet ta dinë se taksat e tyre, në vend që të përdoren për të nxitur punësimin, po përdoren për të paguar militantët partiakë të PDK-së dhe partive në koalicion me të", thekson LDK.
Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se qytetarët kanë nevojë për projekte zhvillimore që nxisin punësimin në sektorin privat dhe bujqësinë në veçanti.
"Në vend që të investohet në projekte të tilla, gjysma e investimeve publike shkojnë në infrastrukturë rrugore në ndërkohë që vetëm 1 për qind e qytetarëve mendojnë se infrastruktura rrugore është problem në Kosovë", thuhet me tutje në vlerësimin e LDK-së.