Punësimi në Gjermani arriti maksimumin historik
Berlin, 3 janar - Zyra e Statistikave gjermane bëri të ditur se në fund të vitit 2012 numri i shtetasve, të cilët kanë një vend të përhershëm pune, arriti maksimumin historik në Gjermani e cila është edhe ekonomia më e madhe e Bashkimit Evropian.
Vitin e kaluar në Gjermani rezultuan të punësuar 41.5 milionë njerëz, çka përbën 416.000 më shumë të punësuar se sa në vitin 2011. Për më tepër kjo shifër është në rritje për të gjashtin vit radhazi.
Sipas ekspertëve, rekordi i ri është vendosur edhe falë tërheqjes nga jashtë të forcës së kualifikuar punëtore.