Punësimi i rinisë sfidë për Kosovën
Prishtinë, 12 shtator - Kosova ka popullsinë më të re në Evropë me një moshë mesatare 27 vjeç. Por pikërisht rinia në shtetin më ri të të Evropës është e prekur në masë prej papunësisë. Gati gjysma e popullsisë është e papunë.
Për t\'i bërë ballë papunësisë qysh pas mbarimit të luftës Kosova iu nënshtrua një sërë transformimesh krahas atyre politike e ekonomike edhe në fushën e arsimit e shkencës.
Programet studimore në Kosovë janë përshtatur me programet e sistemit të Bolonjës. Kjo reformë është shtrirë edhe në planprogramet e arsimit profesional. Në këtë drejtim nuk kanë munguar as ndihmat nga jashtë Kosovës.
Gjermania është një ndër vendet perëndimore që kontribuon shumë në këtë drejtim. Që në vitet e para pas luftës, shteti gjerman filloi ta mbështesë Kosovën edhe në fushën e arsimit të lartë profesional.
Nga vitit 1999 në Kosovë është aktive organizata gjermane e ndihmës për zhvillimin dhe bashkëpunimin, GIZ. Në shkurt të këtij viti u nënshkrua edhe marrëveshja për Mbështetjen e Arsimit dhe Aftësimit Profesional në Kosovë nga ministri për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, Ramë Buja dhe senatori gjerman i shtetit për Shkolla, Arsim dhe Aftësim profesional, Ties Rabe në Hamburg.
Kjo marrëveshje e shumëfishon rolin e Gjermanisë në këtë fushë, ku deri më sot volumi i financiar i mbështetjes arrin shumën prej rreth tetë milionë eurosh.
Në një intervistë ekskluzive për Deutsche Welle-n, zëvendës ministri i Shkencës, Arsimit e Teknologjisë në Kosovë, Nehat Mustafa thotë se projektet e para të GIZ (që në atë kohë quhej GTZ) kanë nisur prej vitit 2006. Projekti i parë kishte të bënte me reformat e arsimit dhe aftësimit profesional.
Por, sipas Mustafa, GIZ nuk është e vetmja organizatë, që ndihmon Kosovën në këtë drejtim. Tashmë është aktive edhe organizata joqeveritare \"DIAKONIA Kosova\" e po ashtu është nënshkruar edhe memorandumi me akademinë gjermane \"Heimerer\", që merret kryesisht me përgatitjen e infermierëve.
Por pavarësisht reformave të ndërmarra në sektorin e arsimit profesional në Kosovë mbetet ende shumë për t\'u bërë.
Arkitekti Arsim Gërxhaliu, i cili jep vet mësim në shkolla profesionale, ngre problemin e mungesës së lidhjes së teorisë me praktikën, çka është e domodoshme veçanërisht në arsimin profesional: \"Duhet të rishikohen mirë planprogramet e shkollave profesionale në mënyrë që ato të shoqërohen me më shumë punë praktike, gjithashtu në shkollat profesionale duhet të ofrohen më shumë mjete konkretizimi në procesin e mësimdhënies.\"
Të njëjtin shqetësim ngrenë edhe vetë studentët lidhur me punën praktike. Alban Gashi, student në degën e ekonomikut shprehet: \"Zgjidhja më e mirë do të ishte, që nxënësve dhe studentëve t\'u ofrohen praktika, në mënyrë që ata të mund të fitojnë përvojë pune.\"
Sidoqoftë vëstirësia kryesore mbetet qasja në tregun e punës për të gjithë ata që mbarojnë shkollat e mesme e të larta profesionale, sepse mundësitë e punësimit në Kosovë janë të kufizuara.
Lekë Marleku, i cili ka përfunduar shkollën e mesme profesionale për ekonomi thotë: \"Nëse dëshiron të kesh një punë më të mirë, atëherë patjetër duhet të kesh në xhep edhe një diplomë universitare.\"
Por edhe ata që kanë mbaruar universitetin në Kosovë nuk e kanë të lehtë, sepse aktualisht papunësia ka arritur nivelin më të lartë me rreth 40%, prej nga është kryesisht e prekur rinia.
Duke e gjetur veten të papunë të diplomuarit vazhdojnë studimet pas-universitare, duke mbrojtur doktoraturën gjithnjë me shpresën, se përmes kualifikimeve të tilla, një ditë do të mund të qasen në tregun e punës.
Krahas vështirësive financiare dhe mungesës së ofertave konkrete në tregun e punës, studentët ngrenë edhe një tjetër shqetësim: Rexhep Limani, gjithashtu student i ekonomikut thotë se në Kosovë është problem gjetja e një vendi pune, sepse politika që ndiqet aktualisht po çon në disekujlibër mes mundësive që ka tregu vendas i punës dhe numrit jashtëzakonisht të lartë të studentëve , të cilëve u jepet e drejta e studimit.
\"Eshtë problematik numri i lartë studentëve në fakultetin tonë që në afat rekord përfundojnë fakultetin, por nuk gjejnë punë dhe të dëshpëruar mësyjnë vendet e Europës duke u detyruar të kthehen atje në punëtorë krahu. Janë të paktë ata, të cilëve u prin fati në Evropë, ose sepse gjejnë një punë të mirë, ose përmes ndonjë lidhjeje martese atje.\"
Këtë e konfirmon edhe zëvëndësministri Mustafa, por sipas tij: \"Në Kosovë janë rreth 30.000 të rinj, të cilët i qasen tregut të punës dhe prej këtyre janë afro18.000 deri në 20.000, që përfundojnë arsimin profesional. Potenciali i zhvillimit ekonomik të Kosovës nuk ka mundësi t\'i absorbojë gjithë këta të rinj.\" Kushtet e vështira në tregun kosovar të punës nxisin dukurinë e ashtuquajtur \"brain drain\" në Kosovë.
/dw/