15 Janar 2025

Pulsi Publik: KEK serish prin me korrupsion

Prishtinë, 5 nëntor - UNDP lansoi sot Faktet e Shpejta të Pulsit Publik pesë të cilat janë një rezyme e shkurtër e indikatorëve kyç dhe rezultateve të anketës së tetorit 2012, dhe ofrojnë përceptimet e njerëzve mbi zhvillimet demokratike dhe ekonomike, çështjet e sigurisë si dhe shfaqin tendenca të ndryshme të nivelit të kënaqshmërisë  me punën e institucioneve, në krahasim me ato të prillit 2012.

Rezultatet e anketës së tetorit 2012, shfaqin tendenca të ndryshme të nivelit të kënaqshmërisë me punën e institucioneve, në krahasim me ato të prillit 2012.

Përderisa ka ngritje të kënaqshmërisë me punën e Gjyqeve, Qeverisë dhe Kryeministrit, kemi rënie në kënaqshmërisë së njerzëve me punën e Presidentes së Kosovës dhe Kryetarit të Kuvendit.

Sipas sondazhit aktual, vetëm 27% e qytetarëve janë të kënaqur nga puna e Qeverisë dhe
Kryeministrit.

Sidoqoftë, në krahasim me prillin, 2012, niveli i kënaqësisë me punën e Qeverisë është
rritur për 6 pikë përqindje, kurse niveli i kënaqësisë nga puna e Kryeministrit është rritur për pothuajse 4 pikë të përqindjes.

Ngjashëm, përqindja e atyre që janë të kënaqur me punën e gjyqeve është rritur nga 18% në prill 2012 në 24% në tetor 2012.

Përderisa niveli i kënaqshmërisë nga puna e Parlamentit dhe Zyrës së Prokurorit nuk ka shënuar ndonjë ndryshim të madh gjatë 6 muajve të fundit, niveli i kënaqësisë nga puna e Kryetarit të Kuvendit ka rënë për më shumë se 3 pikë përqindje që nga prilli 2012. Përqindja e atyre që janë të kënaqur nga puna e Presidentes gjithashtu ka rënë për pothuajse 7 pikë përqindje.

Edhepse shumica e kosovarëve janë të pakënaqur me orientimin aktual politike, të dhënat nga hulumtimi tregojnë se kjo përqindje ka pësuar rënie nga 72% në prill 2012, në 67% në tetor 2012.

Kur të dhënat janë analizuar në baza gjinore, rezultatet tregojnë se një përqindje më e madhe e meshkujve (69%) në krahasim me 64% të femrave janë të pakënaqur nga orientimi aktual politikë në Kosovë.

Sa i përket orientimit ekonomik, pakënaqësia publike është edhe më e lartë. Shtatëdhjetë e pesë përqind e të anketuarve janë të pakënaqur ose shumë të pakënaqur me orientimin aktual ekonomike të Kosovës, kurse vetëm 6% janë të kënaqur ose shumë të kënaqur nga ajo.

Në pyetjen se kush, sipas mendimit të tyre është përgjegjës për situatën aktuale ekonomike në Kosovë, 77.5% e kosovarëve u përgjigjën se kjo përgjegjësi i takon Qeverisë së Kosovës.

Kur të dhënat ndahen sipas përkatësisë etnike tregojnë se: 79% e shqiptarëve -K, 59% e serbëve -K dhe 65% e bashkësive të tjera e ndajnë këtë mendim.

Pjesa e të anketuarve që mendojnë që komuniteti ndërkombëtar (EULEX-i dhe UNMIK-u së bashku) kanë përgjegjësi për situatën ekonomike të Kosovës është dukshëm më e ulët, 7%.

Papunësia shihet si problemi më i madh në Kosovë nga 42% e qytetarëve të saj, 20% të tjerë mendojnë se problemi më i madh është varfëria, kurse 8% mendojnë që problemi më i madh janë çmimet.

Ngjashëm me ato të prillit 2012, rezultatet e anketës aktuale tregojnë që shumica e kosovarëve janë pesimistë për mundësitë e punësimit me meritë në sektorin publik.

Përqindja e atyre që mendojnë që punësimi në sektorin publik sigurohet në mënyrë të pamerituar ka pësuar rritje nga 67% në qershor 2011 në 83% në tetor 2012.

Indikatori 'në baza të pamerituara' përbëhet nga këto faktorë: lidhje familjare, ryshfeti, miqtë, anëtarësim në parti politike dhe dukje e jashtme.

Gjersa indikatori 'në baza të merituara' u krijua duke bashkuar këto faktorë: përvojë profesionale, arsim dhe trajnime profesionale.

Shumica e kosovarëve besojnë që lidhjet familjare (42%), ryshfeti (19%), anëtarësimi në parti politike (16%), dhe miqtë (6%) janë faktorët më të rëndësishëm në marrjen e një pune në sektorin publik.

Nga ana tjetër, vetëm 13% e kosovarëve besojnë që arsimimi, përvoja profesionale dhe trajnimet profesionale janë të rëndësishëm kur dikush kërkon punë në sektorin publik.

Gjithashtu edhe korrupsioni shihet si një problem i madh në Kosovë. Përqindja e qytetarëve që mendojnë se korrupsioni i shkallës së lartë është prezent në institucione të ndryshme është rritur në krahasim me prillin 2012.

Kjo vlen në veçanti për Korporatën Energjetike të Kosovës (54% në krahasim me 48% në prill 2012), ofruesit e shërbimeve shëndetësore (52% në krahasim me 43% në prill 2012), dhe doganat (50% në krahasim me 43% në prill 2012) që raportohen si institucione me
përhapje më të gjerë të korrupsionit të shkallës së lartë.

Edhepse shumica e kosovarëve mendojnë që korrupsioni ekziston si problem, vetëm disa prej tyre pranuan që kanë pasur përvojë personale me korrupsionin.

Më shumë se gjysma e tyre deklaruan se kanë informata rreth korrupsionit nga mediat (59%), kurse 23% deklaruan se kanë dëgjuar për të nga miqtë dhe të afërmit.

Sa u përket relacioneve polici-komunitet, shumica e kosovarëve (67%) konsideron që këto relacione janë të mira ose shumë të mira.

Vetëm rreth 7% e të anketuarve besojnë që këto relacione janë të këqija ose shumë të këqija.

Sidoqoftë, ky perceptim është më negativ tek serbët-K, pasi 45% prej tyre (në krahasim me 37% në prill 2012) shohin relacionet polici-komunitet si të këqija ose shumë të
këqija.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)