Publikohet vizioni Shtegu për Çiklistë
Prizren, 2 dhjetor - EC Ma Ndryshe të mërkurën ka publikuar vizionimin Shtegu për Çiklistë, përmes të cilit aktivitet është përcjellë porosia vizuale për promovimin e lëvizjes së lirë të personave që përdorin biçikleta nëpër rrugët kryesore të qytetit të Prizrenit.
Hulumtimet e viteve të kaluara, në kuadër të projektit Qyteti gjithëpërfshirës..., rregullisht e kanë nxjerrë si shqetësim të qytetarëve mungesën e shtigjeve (korsive) për biçikleta në pjesën urbane.
Duke u bazuar në këto kërkesa, por edhe dy peticionet e dorëzuara më parë në Komunën e Prizrenit, EC Ma Ndryshe në bashkëpunim me disa organizata dhe komunitetin e çiklistëve ka realizuar një vizionim, që shërben si shembull se si mund të duken dhe aplikohen shtigjet (korsitë) për biçikleta në rrugët e qytetit të Prizrenit.
Vizionimi i publikuar shërben edhe si shtytës për fuqizimin e thirrjes për më shumë vëmendje dhe kujdes në krijimin e shtigjeve për biçikleta, pasi që edhe ky komunitet duhet ta gëzojë të drejtën që të lëvizë lirshëm dhe në mënyrë të sigurtë në trafik.
Prandaj, EC Ma Ndryshe me anë të këtij vizionimi përsërit thirrjen drejtuar institucioneve përgjegjëse që në mënyrë konstante të angazhohen për planifikimin dhe krijimin e shtigjeve për biçikleta në të gjitha pjesët e qytetit.
Vizionimi Shtegu për Çiklistë është realizuar në kuadër të projektit Qyteti gjithëpërfshirës..., të financuar nga Olof Palme International Center (OPIC), e cila përkrahet nga Qeveria e Suedisë. Qyteti gjithëpërfshirës... është projekt tre-vjeçar i EC Ma Ndryshe, i cili synon të artikulojë nevojat e grupeve të komunitetit dhe ti përkthejë ato në plane të zbatueshme urbane të komunës së Prizrenit. Grupet e komunitetit me të cilat punohet në këtë projekt janë të shpërndarë në lagje të ndryshme të qytetit.