Publikohet Repertori Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë
Prishtinë, 30 prill – Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë për tremujorin e parë (TM1) 2021.
Në tremujorin e parë (TM1) të vitit 2021 janë regjistruar gjithsej 2 941 ndërmarrje. Krahasuar me tremujorin paraprak (TM4 2020) ka rritje për 2.54% të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërsa, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM1 2020) ka rritje për 27.26% të ndërmarrjeve të regjistruara.
Për sa u përket aktiviteteve ekonomike, më të preferuarat gjatë këtij tremujori ishin: Tregti me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave me 804 ndërmarrje të regjistruara (27.33%); Prodhimi me 344 ndërmarrje të regjistruara (11.69%); Ndërtimtaria me 340 ndërmarrje të regjistruara (11.56%); Akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 293 ndërmarrje të regjistruara (9.96%); Aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 293 ndërmarrje të regjistruara (9.96%); Informacioni dhe komunikimi me 173 (5.88%), etj.
Gjatë këtij tremujori, në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar janë gjithsej 2 831 ndërmarrje të regjistruara (96.3 %); me 5 deri 9 të punësuar janë 65 sosh (2.2%); me 10 deri në 19 të punësuar janë 31 ndërmarrje të regjistruara (1.1%); me 20 deri 249 të punësuar janë 13 ndërmarrje të regjistruara (0.4%); ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar është vetëm 1 ndërmarrje e regjistruar.
Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor, mbizotëron komuna e Prishtinës me 860 ndërmarrje të regjistruara (29.24%); Ferizaj me 258 ndërmarrje të regjistruara (8.77%); Prizreni me 236 ndërmarrje të regjistruara (8.02%); Gjilani me 156 ndërmarrje të regjistruara (5.3%); Peja me 148 ndërmarrje të regjistruara (5%); dhe Fushë Kosova me 125 ndërmarrje të regjistruara (4.2%); ndërsa komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.
Për më shumë informata rreth Repertorit Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë, vizitoni: http://ask.rks-gov.net/sq/agjencia-e-statistikave-te-kosoves/ekonomi/regjistri-statistikor-i-bizneseve.