Publikohet Barometri i punësimit nga Kolegji Universum
Prishtinë, 22 gusht - Studimi i kryer nga Universum tregon se njohuritë në teknologjinë informative janë prioritet për punëdhënësit. Përderisa, metoda që më së shumti përdoret nga punëdhënësi për rekrutim, vazhdon të jetë përmes rekomandimeve. Studimi poashtu tregon se krahasuar me vitin e kaluar, bizneset e vogla po i zhvillojnë dukshëm programet e brendshme për zhvillim të stafit.
Sot, 22 Gusht, Kolegji Universum në konferencën e mbajtur në njërin nga kampuset e tij, publikoi studimin Barometri i punësimit, studim ky i cili ka patur për qëllim ofrimin e informatave lidhur me trendet e punësimit në Kosovë.
Dr. Festina Balidemaj nga Universum prezantoi të gjeturat nga hulumtimi me masë statistikore prej 450 firmave në Kosovë, duke theksuar se punëkërkuesit duhet të sigurohen se kanë zhvilluar aftësitë e komunikimit sepse kjo mbetet si njëra ndër aftësitë më të kërkuara na ana e punëdhënësit, duke i mos lënë anash edhe aftësinë e punës në grup si dhe aftësinë intelektuale.
Krahasuar me vitin e kaluar, 32% e punëdhënësve kanë deklaruar se prioritet në vendet e lira të punës do të kenë punëkërkuesit të cilët posedojnë njohuri në teknologjinë informative dhe ata që kanë edukim superior. Studimi gjithashtu tregon se kënaqësia dhe besueshmëria e punëdhënësve me nivelin e përgatitjes profesionale të punëtorëve nga sistemi i edukimit të lartë është në rritje, dhe si rezultat i kësaj ka rënie në ofrimin e programeve të brendshme të zhvillimit të stafit tek bizneset e mëdha.
Duke shpalosur të gjeturat tjera të këtij studimi, Dr. Balidemaj theksoi se studimi tregon se rekomandimi personal vazhdon të jetë një ndër format më të shpeshta të rekrutimit nga bizneset e intervistuara.
Z. Berat Luzha, Zv.Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe panelit në këtë konferencë, duke shprehur mirënjohje për angazhimin e Kolegjit Universum, prezantoi statistikat e fundit të punësimit duke theksuar se fale dhjetëra projekteve që janë duke u implementuar, ministria ka arritur që të zvogëlojë numrin e punëkërkuesve. Përderisa vitin e kaluar, për një vend pune kanë qenë 33 punëkërkues, këtë vit, ky numër ka rënë në 27.
Duke patur qëllim parësor zbutjen e nivelit të papunësisë në Kosovë, Kolegji Universum do të vazhdojë të angazhohet në studimet e tregut të punës të cilët do të ndihmojnë punëkërkuesit në punësim si dhe punëmarrësit në përzgjedhje.