Publikohet anketa e Grupimeve të Treguesve të Shumëfishtë
Prishtinë, 17 dhjetor - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka prezantuar rezultatet e Anketës së Grupimeve të Treguesve të Shumëfishtë (AGTSh). AGTSh-ja është një anketë ndërkombëtare për ekonomitë familjare, e zhvilluar nga UNICEF-i, e cila implementohet për herë të parë në tërë Kosovën dhe përfshin popullsinë e përgjithshme.
Në Kosovë AGTSh-ja është kryer nga Agjencia e Statistikave të Kosovës bashkë me UNICEF-in dhe UNFPA-në, kurse pjesë e implementimit të këtij studimi, me shumë rëndësi, kanë qenë edhe Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe partnerë të tjerë. Kryeshefi i ASK-së, Isa Krasniqi, ka theksuar se ASK-ja ka bërë një progres të madh në shumë fusha të përgjegjësisë së saj.
ASK-ja ka pasur zhvillim të madh, i konstatuar edhe nga EUROSTAT-i në vlerësimet e tij të rregullta për Sistemin Statistikor të Kosovës. Ndër të tjera, KE i ASK-së përmendi realizimin e shumë projekteve me rëndësi për Kosovën, të cilat janë kryer me ndihmën e donatorëve. Këto të dhëna do të jenë shumë të rëndësishme për institucionet vendore, por edhe ndërkombëtare.
Institucionet vendimmarrëse të Kosovës do të mund ti shfrytëzojnë këto të dhëna për krijimin e politikave të tyre adekuate, krijimin e programeve zhvillimore dhe strategjive afatgjata në fushën e shëndetësisë, arsimit, mbrojtjes sociale dhe shumë fusha të tjera, ka theksuar ai.