Publikohen të dhënat statistikore mbi Urbanizmin e Prizrenit
Prishtinë, 7 maj - EC Ma Ndryshe ka publikuar analizën e shkurtër (Pa)drejtësia në Urbanizmin e Prizrenit?, ku me anë të dhënave statistikore tregohet dështimi i institucioneve në zbatimin e legjislacionit të hartuar dhe miratuar me qëllim të ruajtjes së Qendrës Historike të Prizrenit.
Analiza konstaton se thirrjet e publikut për mbrojtjen e Qendrës Historike të Prizrenit nuk po merren parasysh nga institucionet e pushtetit ekzekutiv e legjislativ si në nivelin lokal ashtu edhe atë qendror, sikurse edhe gjyqësori.
Këto institucione, që kanë detyrime të qarta ligjore për të vepruar për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore e historike në këtë Qendër prej vitesh kanë vendosur që ti mbyllin sytë dhe veshët kundruall degradimit urbanistik në këtë zonë të veçantë të qytetit të Prizrenit, duke instaluar në mënyrë të heshtur kulturën e pandëshkueshmërisë.
Ky konstatim i EC Ma Ndryshe, i dokumentuar me raste konkrete përgjatë më shumë se dy vitesh konfirmohet edhe nga të dhënat statistikore të grumbulluara në fund të vitit të kaluar nga institucionet përgjegjëse, që kanë shërbyer për hartimin e analizës statistikore (Pa)drejtësia në Urbanizmin e Prizrenit?, e cila është ilustruar shkurt edhe përmes një infografi.
Të dhënat e pasqyruara në analizë dhe infograf mjaftojnë për të përshkruar edhe njëherë me shifra dështimin e institucioneve në zbatimin e ligjit në Qendrën Historike të Prizrenit.