Protestat e dhunshme, mesazhe për investitorët
Prishtinë, 30 janar - Pamjet nga protesta e fundit rrezikojnë ta dëmtojnë shumë imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Të kontaktuar nga gazeta Epoka e re, disa analistë kanë thënë se dhuna e protestuesve ndaj Policisë së Kosovës, lëndimet e pjesëtarëve të saj dhe të disa pjesëmarrësve në këtë protestë, kanë përçuar mesazhe negative edhe për ambientin e të bërit biznes në Kosovë.
Ndërsa ka edhe analistë të cilët kanë thënë se me protesta populli i Kosovës hyn në rangun e popujve perëndimorë dhe barazohet me imazh.
Shahini: Dhunën se lejon demokracia
I pyetur nga gazeta Epoka e re për mesazhin që është përcjellë në arenën ndërkombëtare nga protesta e fundit, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, është përgjigjur se qytetarët me të drejtë po kërkojnë protesta dhe mund të protestojnë, por assesi ajo e drejtë e tyre nuk bën të shprehet në padrejtësi ndaj të tjerëve, duke u shndërruar në dhunë dhe demolim të objekteve shoqërore e private. Dhuna dhe demolimet janë përtej çdo kompetence që lejon demokracia në të gjithë botën, është shprehur Shahini.
Sipas tij, në qoftë se do vazhdojnë protestat e dhunshme, atëherë ato sdo të jenë më protesta, por demonstrata. Nëse protesta vazhdon dhe do të jenë të dhunshme, duke shkatërruar gjithçka para vetes për ti arritur objektivat e tyre protestuesit, atëherë ajo nuk është protestë, por demonstratë, ka thënë Shahini.
Ai ka deklaruar protestat e dhunshme do ti dëmtojnë Kosovën dhe imazhin e saj ashtu siç ka ndodhur në protestën e fundit. Protestat e dhunshme e dëmtojnë imazhin e Kosovës për të bërë biznes, duke bërë kështu që investitorët ta kenë të vështirë të investojnë në Kosovë, si një vend ku smund të ketë siguri, ka deklaruar ai.
Zogaj: Protesta tregon destabilitetin politik të Kosovës
Ndërkaq Alban Zogaj nga Instituti RIINVEST ka thënë se protesta e fundit tregon destabilitetin politik të Kosovës.
Sipas tij, çdo destabilitet politik dërgon mesazhe negative tek investitorët potencialë.
Normalisht se protestat e fundit ishin të dhunshme dhe do të kenë pasoja negative tek investitorët potencialë në Kosovë, për arsye se këto protesta të dhunshme tregojnë se situata politike është e destabilizuar dhe mund të shpërthejë në çdo kohë dhe e tëra kjo bën që investitorët të tkurren dhe të jenë të kujdesëm ndaj këtyre situatave, ka thënë Zogaj.
Kursani: Protesta sështë shkaku i largimit të investitorëve
Ndryshe është shprehur analisti Shpend Kursani. Ai ka bërë me dije se nuk ka ndonjë studim apo rast në botë, kur protestat kanë ndikuar negativisht në tërheqjen e investimeve të huaja.
Në Francë apo Gjermani ndodhin dhjetëra protesta të dhunshme në ditë, mirëpo atyre vetëm sa u shtohen investitorët. Ky fakt tregon se protesta nuk qenka shkaku i largimit të investitorëve. Në të njëjtën kohë Kosovës nuk i vinin investitorët edhe para se të ndodhnin këto protesta.
Pra, fakt ky tjetër që tregon se protestat nuk janë shkaktare të largimit të investitorëve, por është mungesa e sigurisë dhe transparencës, gjegjësisht haraçi që u vihet atyre nga njerëz të lidhur ngushtë me pushtetin, ka thënë Kursani.
Sipas tij, protestat vetëm sa do ta përmirësojnë imazhin e Kosovës, pasi deri më tani populli i Kosovës është konsideruar i klasës së tretë.
Sa i përket imazhit, ajo nuk do të duhej të kishte fare rëndësi, sepse rëndësi ka si je brenda, e jo si dukesh jashtë. Sidoqoftë, mendoj se protestat vetëm se do ta përmirësojnë imazhin edhe të Kosovës, por edhe të popullit të Kosovës. Deri më tani populli i Kosovës është shikuar si i klasës së tretë dhe i prapambetur, i cili duron padrejtësi dhe kësisoj edhe shumë nga misionarët ndërkombëtarë e kanë nënçmuar. Me protesta populli i Kosovës vetëm se hyn në rangun e popujve perëndimorë dhe kësisoj barazohet me imazh, është shprehur Kursani.
Nga përleshjet e protestuesve me policinë në protestën e 27 janarit janë lënduar 80 protestues dhe 72 policë, kurse janë përcjellë për në stacionin policor 160 protestues të dhunshëm.