Protesta për kreditë në Rusi
Moskë, 31 mars - Rusët që kanë marrë kredi në monedhë të huaj janë goditur rëndë nga rënia e vlerës së rublës ruse. Shumë prej tyre nuk paguajnë dot në kohë dhe përballen me nxjerrjen nga banesat.
Siç njofton Zëri i Amerikës gjendja e këtyre huamarrësve është pjesë e krizës ekonomike të Rusisë:
Këta protestues rusë në një bankë të Moskës kërkojnë ristrukturimin e huave që kanë marrë në monedhë të huaj.
Rënia e vlerës së rublës ruse ka dyfishuar kostot e pagesave të cila ata nuk i përballojnë dot më.
\"Disa familje janë tashmë në raundin e dytë ose të tretë të proceseve gjyqësore. Në maj do të fillojë dëbimi i iniciuar nga bankat\", - thotë Arsen Lupen.
Tamara Makoeva, e vetme pa bashkëshort, paguhej në dollarë kur mori kredinë në vitin 2006 për një apartament.
Por ndërsa ndërtimi u vonua dhe kriza ekonomike goditi Rusinë, paga e saj u kthye në rubla:
\"Kriza e parë u kalua relativisht lehtë pasi dollari nuk u ngrit shumë. Por gjatë krizës së tanishme, dollari ka shkuar shumë lart dhe pagesa ime është rritur trefish.
Ajo thotë se pagesat për koston e apartamentit janë më shumë se gjysma e rrogës së saj dhe asaj ende i duhet të paguajë qera.
Është e pamundur me normën e tanishme të këmbimit pasi ose do paguash huanë ose do ushqesh fëmijën. Pra në se nuk arrij një kompromis me bankën, më duhet ta le apartamentin, thotë Tamara Makoeva.
Autoritetet ruse kanë udhëzuar bankat të ristrukturojnë borxhet në rubla. Por ata theksojnë gjithashtu se këta huamarrës janë një pakicë dhe zgjodhën kredi të rrezikshme të lidhura me monedha të huaja:
Ata nuk janë ndonjë rrezik i madh për autoritetet. Por kombinimi i përpjekjeve të tyre së bashku, u jep më shumë ndikim dhe kështu dëgjohen më shumë, thotë Alexander Baunov me qendrën Carnegie në Moskë.