Pronat shtetërore do të jepen në shfrytëzim pa procedura të prokurimit
Prishtinë, 19 maj - Në bazë të Projektligjit për Investime Strategjike, pronat shtetërore do të jepen në shfrytëzim pa iu nënshtruar procedurave të prokurimit publik, shkruan sot Koha Ditore.
Ndonëse nga përfaqësues të shoqërisë civile ishte kërkuar që gjatë procesit të amendamentimit neni ku parashihej të jepet në shfrytëzim prona shtetërore të hiqet, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Ai vetëm është riformuluar dhe, sipas përfaqësuesve të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, që ka qenë komision funksional për këtë projektligj, Qeveria, për të dhënë në shfrytëzim një pronë publike, do të duhej të kishte një vendim me votat e shumicës së të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Komisioni ndër të tjera ka amendamentuar nenin 18 të Projektligjit, në pikën tre të të cilit ishte paraparë që Prona e Republikës së Kosovës e nevojshme për realizimin e projekteve për investimet strategjike do ti bartet në shfrytëzim subjektit investues pa iu nënshtruar procedurave të prokurimit dhe tenderimit publik të parapara me ligjet e Kosovës sipas çmimit të tregut në pajtim me vlerësimin e bërë nga eksperti i autorizuar.
/Koha Ditore/