Promovohet Rrjeti i Kosovës Kundër Varfërisë
Prishtinë, 27 nëntor - Në një tryezë të organizuar gjatë ditës së sotme, u promovua Rrjeti i Kosovës Kundër Varfërisë (KAPN), i themeluar me iniciativë të shtatë OJQ-vë të cilat operojnë në Kosovë, e që ka si mision kontribuimin në zbutjen e varfërisë si dhe në ngritjen e përfshirjes sociale për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Gjithashtu, u prezentua një analizë mbi gjendjen e të riatdhetësuarëve për vitin 2014, ku u përmendën sfidat të cilat e përcjellin këtë proces. Kjo tryezë pati një pjesëmarrje të bujshme, me çrast nga të pranishmit u vlerësua lartë iniciativa për themelimin e këtij Rrjeti.
Drejtori i Shoqatës Nëna Terezë, Zef Shala, njëkohësisht drejtuesi i KAPN-së, u shpreh se misioni i Rrjetit të Kosovës Kundër Varfërisë është që të rrisë kualitetin e jetës në Kosovë, duke mundësuar qasje të barabartë në punësim të drejtë, qasje në edukim, shëndetësi, si dhe në pjesëmarrje sociale.
KAPN është një koalicion i OJQve të Kosovës të cilat punojnë në fusha të ndryshme, e të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në luftimin e varfërisë dhe rritjes së përfshirjes sociale. Ky Rrjet do të përpiqet që me forca të përbashkëta të ndikojë që në shoqërinë tonë të ngrihet vetëdija për domosdonë e luftës kundër varfërisë. Rrjeti gjithashtu do të targetojë autoritetet qendrore dhe vendim marrësit, që përmes masave legjislative dhe politikave adekuate, bashkarisht të përmirësojmë kualitetin e jetës të të gjithë qytetarëve të Kosovës, u shpreh Shala.
Pas prezantimit të Rrjetit, gjithashtu u organizua edhe një debat me çrast KAPN prezantoi analizën Situata e të riatdhetësuarëve në Kosovë dhe ndikimi i saj në varfëri.
Valon Murati, njëri nga anëtarët e KAPN-së, si sfidë kryesore në çështjen e riatdhetësimit, përmendi riintegrimin e të kthyerëve në shoqërinë kosovare, meqë kushtet nga të cilat vijnë ata, janë diametralisht të kundërta me kushtet ekzistuese në Kosovë.
\"Vlen të përmendet se si çështje problematike qëndron vështërsia permanente në punësimin e të riatdhetësuarëve, si dhe vazhdimësia e jetesës së tyre pas 12 muajëve përkrahje nga shteti që i kthen prapa në Kosovë. Këto tema dhe tema te tjera, KAPN do ti diskutojë më gjerësisht në vitet e ardhshme, të cilat do të kenë karakter regjional dhe evropian, shtoi Murati.
Të pranishëm në këtë tryezë ishin përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Rinisë dhe Kulturës, Zyra për Komunitete dhe Kthim në Komunën e Gjakovës, si dhe shumë akterë të tjerë nga institucione kosovare, si dhe pjesëmarrës nga shoqëria civile.
Puna e KAPN-së do të ndikojë që të gjithë banorët e Kosovës pa dallim etniciteti, besimi politik dhe fetar, të përfitojnë nga angazhimi i luftimit të varfërisë. Anëtarët aktual të KAPN janë: SHHBK Nëna Terezë, HANDIKOS, Developing Together, Vista, CBM, Qendra për të Drejtat e Njeriut të Universitetit të Prishtinës, dhe Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve.