Promovimi i gruas në ndërmarrësi ndikon në zhvillimin ekonomik në vend
Prishtinë, 20 dhjetor - Pjesëmarrja e grave në tregun e punës vazhdon të mbetet në nivele shumë të ulëta, ndërsa promovimi i tyre në ndërmarrësi është i nevojshëm në mënyrë që të arrihet zhvillim i qëndrueshëm ekonomik në vend, e për këtë është e nevojshme mbështetja e institucioneve, bizneseve por edhe vetë grave të suksesshme.
Kjo u tha sot në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me Fondacionin Jahjaga ku u diskutua mbi rolin e gruas në ndërmarrësi dhe zhvillimi i saj.
Presidentja e katërt e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se emancipimi dhe fuqizimi i gruas në shoqërinë tone është i domosdoshëm në zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin e vendit.
Ajo tha se përkundër sfidave të shumta të cilat gratë i hasin në ndërmarrësi, është shënuar mjaft progres në këtë drejtim e kjo fal guximit dhe iniciativave që i kanë ndërmarrë në zhvillimin e tyre si profesional ashtu edhe shoqëror.
Presidentja Jahjaga shtoi se vetëm përmes fuqizimit ekonomik, politik, e shoqëror të gruas do të arrihet një bazë e qëndrueshme e vendit duke thënë se kjo pastaj reflektohet në demokraci të vazhdueshme, rritje të qëndrueshme ekonomike, si dhe stabilitet në zhvillimin e sektorit privat.
Shefja e Misionit të USAID në Kosovë, Lisa Magno, përmendi si dekurajuese shifrën e ulët të pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore të Kosovës, ku vetëm 20% janë pjesë e tregut të punës dhe vetëm 11% janë pronare të bizneseve.
Ajo njoftoi të pranishmit se USAID ka punuar në këtë drejtim në zhvillimin e mundësive të reja për grate në biznes, promovimin dhe ofrimin e shkathtësive, duke thyer kështu barrierat për përfshirje më të madhe të grave në ndërmarrësi.
Magno inkurajoi të pranishmet të vazhdojnë edhe më tej me fuqizimin e njëra tjetrës duke shtuar se bizneset e tyre shërbejnë si model për vajzat e reja.
Më tutje, përfaqësueset e bizneseve anëtare të Odës Amerikane, shkëmbyen storiet e tyre të suksesit si dhe sfidat me të cilat janë ballafaquar në rrugëtimin e tyre, duke u zotuar se bashkërisht do të gjejnë mënyra për mbështetjen e grave dhe vajzave për një rol më aktiv të tyre në ndërmarrësi si dhe në pozita vendimmarrëse.