Prokurimi publik, burim i keqmenaxhimit të parasë publike
Prishtinë, 26 mars - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) / Transparency International Kosova (TIK), ka organizuar sot një tryezë diskutimi me titull Shpenzimi i parasë publike nëpërmjet prokurimit publik.
Qëllimi i këtij debati ka qenë ballafaqimi i të gjeturave lidhur me sfidat që po e përcjellin prokurimin publik, në vitet e fundit. Pjesëmarrës në këtë takim ishin përfaqësues të institucioneve publike, bizneseve dhe organizatave të shoqërisë civile.
Merita Mustafa, Menaxhere e Projektit Transparenca dhe Llogaridhënia në Prokurimin Publik, ka thënë se janë bërë dy vite që kur KDI monitoron prokurimin publik dhe që atëherë ne kemi identifikuar shumë sfida serioze të institucioneve në zbatimin e Ligjit të Prokurimit Publik.
Sipas znj. Mustafa, Qeveria dhe institucionet e tjera përgjegjëse nuk kanë treguar interes në përmirësimin e sistemit të prokurimit publik. Ajo po ashtu ka përmendur edhe disa prej pikave më të ndjeshme të prokurimit publik të cilat po ndikojnë që paraja publike të shpenzohet në mënyrë të padrejtë.
Çmimet më të larta sesa në treg, moszbatimi i kontratave, përshtatja e kritereve për një operatorë, mungesa e transparencës, mos aplikimi i kontratave të centralizuara, arkivat kaotike, keqpërdorimi i gabimeve aritmetikore etj, janë disa prej deformimeve më të shpeshta në sistemin e prokurimit publik, të cilat mundësohen nga mbikëqyrja e vogël që i bëhet këtij sistemi.
Deputeti Muhamet Mustafa, anëtar i Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa, deklaroi se problemet në prokurimin publik po fillojnë që nga faza e planifikim të prokurimit. Institucionet po përcaktojnë kritere të cilat po favorizojnë bizneset.
Ai po ashtu ka kritikuar raportet e institucioneve rregullatore të cilat e paraqesin prokurimin si sektor i cili nuk ka probleme të mëdha, e në anën tjetër të gjitha raportet serioze dhe percepcioni qytetar flasin për nivel shumë të lartë të pranisë së korrupsionit në sistemin e prokurimit publik.
Ai ka kërkuar që sa më shumë të monitorohet performanca në prokurimin publik, për të parë se çfarë efekte po arrihen përmes shpenzimit të parasë publike nga institucionet.
Kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadergjonaj, tha se ajo që i përket Kuvendit të Kosovës është të bëjë ligje të mira dhe sa i përket prokurimit publik, nuk ka vërejtje në bazën ligjore.
Ajo ka shtuar se afrimi i fushatës elektorale ka bërë që edhe të ashpërsohet retorika e partive opozitare, mirëpo Kosova tani më ka institucione të mbikëqyrjes e të cilave duhet të u besohet në punën që kryejnë. Sipas saj, bazuar në raportet e KRPP dhe OSHP, vërehet një përmirësim i dukshëm në sektorin e prokurimit publik.
Kryetari i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Hysni Hoxha, ka shprehur keqardhjen e tij për mungesën tetë (8) mujore të bordit të këtij institucioni. Sipas tij në mungesë të OSHP-së mbijë 60 milion euro të kanë mbetur të bllokuara, projekte të organizatave buxhetore.
Ai ka kërkuar që në disa pika të ndryshohet Ligji i Prokurimit Publik për të mundësuar ndëshkimin e institucioneve dhe bizneseve të cilat bëjnë mashtrim në prokurimin publik. Aktualisht sipas tij ka shumë institucione të cilat nuk i paguajnë gjobat e OSHP-së dhe të cilat nuk i marrin parasysh drejtë vendimet e OSHP-së.
Në anën tjetër Kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), Safet Hoxha ka prezantuar indikatorët të cilët tregojnë se prokurimi publik në Kosovë ka trende pozitive. Ai ka thënë se janë rritur procedurat e hapura me publikim të njoftimeve për kontratë dhe numri i ofertave për tender është rritur.
Sipas Hoxhajt, monitorimi në vazhdimësi është shtuar dhe kështu KRPP vetëm vitin e kaluar i ka stopuar 620 njoftime për kontratë dhe ka bërë korrigjimin e tyre.
Pjesëmarrësit e tjerë në këtë debat, kryesisht përfaqësuesit e sektorit të biznesit kanë kërkuar kontroll më të madh në raport me institucionet të cilat në shumë raste janë përfshirë nga praktika të mashtrimit në prokurim dhe korrupsionit për të favorizuar bizneset e afërta.
Është kërkuar po ashtu që KRPP të nxjerr akte të veçanta në sektorët si shëndetësia, pasi që kriteri për çmimin më të lirë ka bërë që pajisjet dhe mallrat në shëndetësi të mos mund të shfrytëzohen në benefit të pacientëve.