Projektligji për tregti të mallrave do të shkoi në Kuvend
Prishtinë, 22 shtator - Projektligji për tregtinë e mallrave strategjike, është një ndër ligjet më të rëndësishme që do të miratojë Kuvendi i Kosovës.
Kryetarja e Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion, Myzejene Selmani, duke paraqitur qëllimin e këtij dëgjimi të organizuar nga Komisioni që ajo udhëheqë tha se Projektligji për tregtinë e mallrave strategjike, është një ndër ligjet më të rëndësishme që do të miratojë Kuvendi.
Kemi të bëjmë me eksportin dhe importin e mallrave strategjike, ushtarake dhe mallrave me përdorim të dyfishtë , tha Selmani.
Më tej ajo kërkoi nga të pranishmit që të japin kontributin e tyre në fazën e draftimit të projektligjit, duke i siguruar ata se vërejtjet, sugjerimet dhe rekomandimet e tyre do të hyjnë në draftin final të projektligjit, para se ai të procedohet për miratim në Kuvendin e Kosovës.
Pjesëmarrësit në këtë debat; përfaqësuesit e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë si sponzorizues të projektligjit, përfaqësuesit e Ministrisë së FSK-së, të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ekonomisë dhe Financave, Odës Ekonomike të Kosovës dhe asaj të SHBA-së, përfaqësuesit e Doganave dhe Policisë së Kosovës dhe përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA-së, unanimisht u shprehën se Projektligji për tregtinë e mallrave strategjike është mbështetur në përvojat më të mira të BE-së dhe është i pranueshëm për ta.
Gjatë debatit, përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA-së, vunë në pah se rezoluta nr. 1540 e miratuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, obligon të gjitha shtetet anëtare që të kenë në fuqi ligjin që rregullon këtë fushë. Po ashtu, gjatë debatit të gjithë përfaqësuesit e ministrive të linjave dhe faktorëve tjerë relevant që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në implementimin e këtij projektligji, theksuan se janë të gatshëm që në fazën e draftimit të vazhdojnë bashkëpunimin, para se projektligji të procedohet për miratim në Kuvendin e Kosovës.