Projektligji për prokurim në përputhje me kërkesat e BE-së
Prishtinë, 16 nentor - Pas kërkesës së Komisionit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, Zyra ligjore e Kryeministrit ka hartuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës. Ky projektligj po ashtu është në përputhje me kërkesat e BE-së dhe ka për qëlllim mbështetjen e kompanive vendore.
Arianit Bytyqi, drejtor i Departamentit për informim në Zyrën e Kryeministrit tha se ndryshimet që janë bërë kryesisht kanë të bëjnë me favorizimin e kompanive vendore:
Qëllimi i këtij projektligji për prokurim ka për qëllim përmirësimin e ambientit afarist dhe biznesor në Kosovë, duke i favorizuar kompanitë vendore në prokurimin publik në njërën anë dhe ngritjen e zhvillimit ekonomik në anën tjetër, tha ai.
Bytyqi tha se Projektligji për prokurim është në përputhje me kërkesat e BE-së.
Projektligji për ndryshimin e Ligjit për prokurim tashmë është në kuvend dhe sipas kryetares së Komisionit për buxhet dhe financa Safete Hadërgjonaj, javën e ardhshme komisioni do ta analizojë projektligjin.
Njëri ndër anëtarët e grupit punues për monitorimin e Ligjit për prokurim, Xhevdet Neziraj nga grupi parlamentar i AAK-së, tha se pritet t''i rekomandojnë komisionit që prokurimi të jetë elektronik, në mënyrë që mundësitë e korrupsionit të jenë më të vogla.
Ndërkohë prokurimi elektronik është edhe një ndër prioritet e Qeverisë së Kosovës thonë zyrtarë të qeverisë. Ndryshe pas kalimit të procedurave në Kuvend, ky projektligj pritet të hyjë në fuqi në janar të vitit 2014.
rtk