Projektligji për konfiskim e pasurisë në përputhje me ligjet e BE-së
Prishtinë, 13 qershor - Duke prezantuar rekomandimet dhe komentet e tyre përkitazi me Projektligjin për konfiskimin e pasurisë të fituar përmes veprës penale, ekspertë nga Gjermania dhe Austria të Projektit të Binjakëzimit Standarde të BE-së për Ministrinë e Drejtësisë, në një takim të zhvilluar me Ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi, kanë vlerësuar lartë projektligjin në fjalë, duke potencuar se i njëjti është në përputhje me ligjet e BE-së dhe me rekomandimet e ekspertëve që janë dhënë më herët përkitazi me këtë projektligj.
Lidhur me Projektkodin e Procedurës Penale, i cili tanimë gjendet në Kuvend, ekspertët kanë vlerësuar cilësinë e këtij Projektkodi dhe njëherësh kanë shprehur dëshirën që sipas nevojës, të ofrojnë rekomandime shtesë për MD-në, respektivisht për Komisionin e Kuvendit të Kosovës, në kuadër të procesit të përmirësimit të mëtutjeshme të cilësisë të këtij Projektkodi, sidomos kur bëhet fjalë për direktivat e reja të BE-së.
Në anën tjetër, Ministri Kuçi ka falënderuar ekspertët për kontributin e tyre të çmueshëm dhënë përmes Projektit të Binjakëzimit, me thekës të veçantë ka falënderuar për ndihmën që është dhënë në hartimin e Projektligjit për konfiskimin e pasurisë të fituar përmes veprës penale.