Projektligjet do të harmonizohen me ligjet e BE-së
Prishtinë, 14 shtator - Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Miniera, Transport dhe Postë-Telekomunikacion takoi përfaqësuesit e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë dhe përfaqësuesit e USAID-it amerikan
Tre projektligje të cilat kanë kaluar leximin e parë në Kuvend do të harmonizohen në tërësi me ligjet e BE-së u tha në këtë takim.
Kryetarja e Komisionit, Myzejene Selmani dha një pasqyrë të shkurtër rreth angazhimeve dhe punës që bën komisioni, në theks të veçantë i njoftoi për angazhimet e tij në sferën e energjisë.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar një pako ligjore që rregullon këtë fushë. Tre projektligje që e kanë kaluar leximin e parë në Kuvend, përpiqemi që gjatë amendamentimit të tyre deri në leximin e dytë ti harmonizojmë në tërësi me ligjet e BE-së, andaj takimi i sotëm është i mirëseardhur duke pasur parasysh përvojat e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, tha Selmani.
Ndërkaq, përfaqësuesit e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Dirk Buschle dhe Simon Uzunov, në fjalën e tyre fillimisht njoftuan anëtarët e komisionit për punën dhe angazhimet e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.
Buschle tha se, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë është marrëveshje e bërë në vitin 2005 nga nëntë shtete, dhe është duke u zbatuar nga të gjitha vendet nënshkruese.
Ndërkaq Uzunov, bëri të ditur se parimet themelore të Sekretariatit të Energjisë janë: ofrimi i konkurrencës së drejtë, publikimi i informatave, subvencionimi në mes njësive energjetike dhe monitorimi i transparencës dhe informatave. Përfaqësuesit e sekretariatit rëndësi të veçantë i kushtuan Autoritetit Rregullativ të Energjisë, për të cilin thanë se ai duhet të jetë plotësisht i pavarur nga ndikimet politike dhe kjo duhet saktësuar në pakon ligjore të kësaj fushe.