Projektet kryesore për vitet 2015 2017 në Komunën e Prishtinës
Megjithatë, siç është cekur edhe në Kornizën Afatmesme Buxhetore 2015-2017, vlerësimet për buxhetin e Komunës së Prishtinës që dalin duke marrë parasysh kufizimet në kuadër të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve të Republikës së Kosovës të detajuara në Qarkoret Buxhetore që i lëshon Ministria e Financave janë të pafavorshme për zhvillimin e kryeqytetit.
Kufijtë buxhetorë për grandin e përgjithshëm dhe për grandin për shëndetësi janë të llogaritur duke u bazuar në numrin e popullsisë, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës nga viti 2011.
Sipas këtij regjistrimi, Prishtina ka 198,897 banorë, ndërsa deri në vitin 2013, Qeveria e Kosovës kishte shfrytëzuar shifrën prej 388,561 banorësh për llogaritjen e kufijve buxhetor për komunën e Prishtinës, bazuar në vlerësimin e po të njëjtës agjenci.
Edhe kufiri buxhetor për grandin për arsim është llogaritur duke u bazuar në numrin e nxënësve në arsimin para fillor, fillor dhe të mesëm, i cili numër gjithashtu është për rreth 4% më i vogël në shifrat e nivelit qendror.
Për më tepër, autoritetet komunale kanë hasur në raportime të shumta për banorë të komunës së Prishtinës që janë regjistruar në vendlindjet e tyre në regjistrimin e fundit të popullsisë.
Gjithashtu, është fakt që kryeqyteti gjatë ditës i shërben një numri të madh të qytetarëve të Kosovës që nuk janë banorë të Prishtinës. Prandaj, kufijtë buxhetorë të caktuar për komunën e Prishtinës për vitin 2015 janë të pafavorshëm dhe shkojnë në dëm të zhvillimit të qytetit, në dëm të ndërtimit të infrastrukturës, si dhe në dëm të shërbimeve cilësore në arsim dhe shëndetësi në këtë komunë.
Për Komunën e Prishtinës duhet të ketë grand specifik të kryeqytetit, që i merrë parasysh faktet e lartpërmendura, në mënyrë që kryeqyteti të vazhdojë të ofrojë shërbime edhe për ata që nuk janë banorë të Prishtinës dhe që e kalojnë ditën në kryeqytet, por edhe për ata që banojnë në Prishtinë, por janë të regjistruar në ndonjë komunë tjetër.
Pas paralajmërimit me kohë për dëgjimet buxhetore, janë mbajtur gjithsej 9 dëgjime buxhetore. Me 22 shtator, u mbajt mbledhja e gjashtë e Komitetit për Politikë dhe Financa. Në këtë mbledhje u propozuan 11 pika të rendit të ditës, të cilat u miratuan nga anëtarët, ndërsa do të diskutohen në mbledhjen e radhës së Kuvendit Komunal që do të mbahet me 29 shtator, 2014, e ku përfshihet edhe Propozim-buxheti për vitin 2015 dhe Korniza afatmesme buxhetore 2015-2017.
Buxheti i Komunës së Prishtinës për vitin 2015 do të jetë 69,091,410 euro. Ky buxhet do të financohet nga grandi i përgjithshëm (22.9%), grandi specifik për arsim (21.8%) grandi specifik për shëndetësi (6.8%) dhe nga të hyrat vetjake të Komunës (48.6%).
Grandi i përgjithshëm i ndarë për Komunën e Prishtinës për vitin 2015 është në vlerë prej 15,799,192 euro, grandi specifik për arsim për vitin 2015 është në vlerë prej 15,042,433 euro, ndërsa grandi specifik për shëndetësi është në vlerë prej 4,702,522.
Planifikimi për të hyrat vetjake të komunës së Prishtinës për vitin 2015 është 33,547,263 euro.
Disa prej projekteve kryesore për vitet 2015 2017 do të jenë:
Ka filluar tashmë digjitalizimi i shërbimeve dhe proceseve të punës (Prishtina digjitale), projekt i cili do tëvazhdojë edhe gjatë tre viteve të ardhshme.Në Drejtorinë e Infrastrukturës janë planifikuar ndërtimi i rrugëve në pjesët urbane me infrastrukture përcjellëse dhe ndërtimi i rrugëve në pjesët rurale me infrastrukture përcjellëse, rruga mbi lumin \"Mat\" , rruga mbi lumin \"Prishtina\" Segmenti i dytë ST, ndërtimi i një segmenti të Unazës qendrore, ndërtimi i rrugës \"A\", Rrethrrotullimi Lakrishte - Rrethrrotullimi Arbëri.
Në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shërbimit janë planifikuar: Rregullimi i vendeve te kontejnerëve dhe furnizimi me kontejner mbitokësorë, nëntokësorë dhe shporta, rregullimi i vend ndaljeve-kabinave të autobusëve dhe rregullimi i infrastrukturës për transport (hartat informuese), rregullimi dhe kultivimi i sipërfaqeve gjelbëruese dhe parqeve të qytetit, mbjellja e fidanëve në hapësirat e qytetit dhe parqet, shtyllat antiparking dhe shtyllat lëvizëse, furnizimi me autobus urban, projekti i kogjenerimit në Termokos, projekti i ndërtimit të fabrikës së ujit në Shkabaj.
Në projektet e Drejtorisë së Kulturës, në mesin e projekteve kapitale parashihet ndërtimi i Muzeut dhe i sallës koncertale në qendër të qytetit si dhe pishina e mbyllur olimpike, projekt ky i cili parashihet të jetë nën përgjegjësinë e Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm që pritet të krijohet gjatë vitit të ardhshëm.
Në Drejtorinë e Arsimit planifikohet ndërtimi i çerdheve, ndërtimi i sallave sportive në disa shkolla, si dhe muzeu shkencor për fëmijë, i pari i këtij lloji në Kosovë.
Në Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale planifikohet ndërtimi i objekteve të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Veternik dhe në lagjen Tophane si dhe zonimi dhe digjitalizimi i institucioneve shëndetësore dhe sociale.