Projektet investive bëhen të qëndrueshme vetëm kur qytetari është hisedar
Prishtinë, 13 maj - Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) në partneritet me UN-Habitat mbajtën sesionin e parë/moduli i pestë (V) të programit edukativ Akademisë për Qeverisje Lokale.
Ky modul po realizohet gjatë ditëve e enjte e premte (12 dhe 13 maj), në Hotel OK Prizren, e i cili mbështetet nga Fondacioni Friedrich Erbert Stiftung.
Në këtë modul po trajtohen temat: Planifikimi Strategjik; Planet Investive dhe Roli i shoqërisë në Demokratizimin e Komunave.
Në hapje të sesionit, Besnik Muçaj, menaxher i programeve në institutin KLGI, theksoi se ky modul ka një rëndësi të veçantë për komunat dhe gjithë akterët tjerë për faktin se planifikimi i mirëfilltë, strategjik, i balancuar, gjithëpërfshirës dhe i integruar prek shumë fusha sektoriale dhe secilin dimension jetësorë duke nisur nga planifikimi i banimit e deri tek planet strategjike.
Ndërkaq, Klodeta Krasniqi, zyrtare e UN-Habitat fillimisht foli për angazhimet që ata kanë për ti ndihmuar komunat dhe institucionet qendrore në hartimin e planeve strategjike investive, duke nisur nga procesi i planifikimit, konsultimit e deri tek implementimi dhe matja e impaktit, raporton InfoKomuna.
Krasniqi theks të veçantë vuri tek procesi i konsultimit, përfshirjes së fokus grupeve, banorëve dhe grupeve të margjinalizuara duke nisur nga procesi i dizajnimit, formulimit të projekteve e deri tek implementimi. Ajo theksoi se vetëm nëpërmes bërjes hisedar të qytetarëve mund të ketë projekte të qëndrueshme investive.
Duke folur për sfidat e planifikimit strategjik dhe planifikimit investive, ajo theksoi se njëra ndër sfidat kryesore në planifikimin strategjik dhe investiv është ndërtimi i një ure në mes të institucioneve.
Shumë shpesh, në procese të rëndësishme, lidhja nga niveli qendror në nivelin lokal është shumë e rëndësishme pasi që të gjitha veprimet reflektohen në një nivel të vetëm, potencoi Krasniqi.
Ndërkaq, Vigan Perani, zyrtar i UN-Habitat foli për procesin organizativ dhe atë operacional të implementimit të projekteve kapitale. Ai theksoi se procesi i konsultimit dhe gjithëpërfshirjes përveç aspekteve që rezultojnë në funksionalitetin e investimeve ato indirekt zhvillojnë edhe demokracinë lokale.
Nëpërmes involvimit të fokus grupeve dhe profesionistëve adresohen nevojat dhe prioritetet e ndryshme, paraqiten rezultate të përshtatshme dhe inovative, dhe ka rritje të shfrytzueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së projektit, nënvizoi ai.
Moduli i pestë i LGA, në sesionin e dytë do të trajtojë rolin e shoqërisë civile në demokratizimin e komunave./InfoKomuna/