Projektet infrastrukturore shkurtojnë rrugën e anëtarësimit në BE
Prishtinë, 18 dhjetor - Në takimin e Këshillit Kombëtar për Investime, të cilin e bashkë kryesojnë Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, dhe Bedri Hamza, Ministër i Financave, ishin të pranishëm Zëvendës kryeministri Dardan Gashi, ministra të Kabinetit qeveritar, përfaqësues të shteteve mike të Kosovës dhe donatorë.
Fjalën e hapjes e mbajti Ministrja Hoxha, ku theksoi se Këshilli është edhe një përpjekje më shumë për të avancuar procesin e integrimit evropian.
“Duke pasur parasysh se investimi në projekte infrastrukturore është qenësor për mirëqenien e qytetarëve tanë, institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të punojnë intensivisht për t’u përgjigjur ndaj kërkesave që dalin nga Procesi i Berlinit”, theksoi ministrja Hoxha duke shtuar se investimi në projekte infrastrukturore nacionale e rajonale do ta shkurtojnë dukshëm rrugën e anëtarësimit në BE dhe rrjedhimisht do të jemi në shërbim të mirëqenies së qytetarëve tanë.
Ofrimi i perspektivës evropiane për tërë rajonin e Ballkanit dhe ndërmarrja e hapave konkret për të jetësuar këtë proces, theksoi Ministrja, është përgjigja e duhur për të ardhmen e rajonit. Bashkimi Evropian ka ndërmarrë një sërë iniciativash për të shtyrë përpara procesin e Integrimit Evropian në vendet e Ballkanit.
Në Procesin e Berlinit të filluar në gusht të vitit 2014, u riafirmua rëndësia e përmirësimit të ndërlidhjes apo interkonektivitetit të vendeve të Ballkanit Perëndimor mes tyre dhe BE-së, theksoi Ministrja Hoxha. Qëllimi parësor i Procesit të Berlinit, vuri në dukje ajo, ishte krijimi i një liste me projektet kryesore infrastrukturore që do të ndikonin në përmirësimin e infrastrukturës së përgjithshme të Ballkanit Perëndimor.
“Bashkimi Evropian ka ndarë 1 miliard EURO për financimin e projekteve infrastrukturore që do të dalin nga procesi i Berlinit, përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimorë apo WBIF”, theksoi Ministrja, dhe shtoi se duke ulur koston e transportit, sigurimin e furnizimit me energji, krijimin e partneriteteve afatgjata biznesore dhe transferin e teknologjisë, Procesi i Berlinit do të mundësojë lidhjen e ekonomive të Ballkanit Perëndimor me BE-në.
Gjatë këtij viti, nën koordinimin e Ministrisë së Integrimit Evropian dhe Ministrisë së Financave, vuri në pah Ministrja Hoxha, është përditësuar Lista Prioritare e Projekteve për vitin 2018 dhe vitet në vijim, programin e investimeve infrastrukturore i përbërë nga 63 projekte në fushën e transportit, energjisë, mjedisit dhe sektorit social, në vlerë totale prej 3.4 miliard euro.
Lista Prioritare e Projekteve, theksoi Ministrja Hoxha, është dokument kryesor i Qeverisë për planifikim të investimeve infrastrukturore për dekadat në vijim.
Ministrja Hoxha vuri në dukje se këto projekte kërkojnë bashkëpunim të ngushtë të institucioneve dhe kërkoi punë sa më ngushtë me përfaqësuesit e WBIF duke iu përgjigjur atyre në kërkesa për të dhëna të ndryshme dhe duke iu ikur vonesave të panevojshme karshi Institucioneve Financiare Ndërkombëtare.
Këto projekte, theksoi Ministrja, do të krijojnë mundësi më të mira për të gjithë qytetarët dhe falënderoi në veçanti Ministrin Hamza dhe stafin e Ministrisë së Financave të cilët së bashku me stafin e Ministrisë së Integrimit kanë koordinuar përgatitjen e këtij dokumenti.
Më pastaj, fjalën e mori bashkë-kryesuesi i Këshillit, Ministri Hamza që theksoi të arriturat dhe sfidat e këtij Komisioni, duke u fokusuar në rëndësinë e “Procesit të Berlinit”. Projekti i Korridorit 10 të Hekurudhës, theksoi Ministri Hamza, rruga Prishtinë-Pejë, Rehabilitimi i kanalit Ibër-Lepenc, Projekti i Ujërave të zeza në shumë qytetet të vendit si dhe një sërë projektesh tjera, përbëjnë vlerë të jashtëzakonshme për zhvillimin e vendit, njëherësh ai ka kërkuar dinamizimin e procedurave nga ministritë e linjës, për të arritur efektet sa më të shpejta, ngritjes së cilësisë të jetës së qytetarëve të vendit.
Po ashtu, sipas përgjegjësive, Ministrat e linjës, cekën prioritetet dhe sasinë e projekteve sipas prioriteteve dhe progresin në zbatimin e projekteve infrastrukturore nga Klauzola e Investimeve.