Profine paralajmëron investime të reja në Gjilan dhe Kosovë
Gjilan, 5 shtator - Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka qëndruar sot në kompaninë Interplast Trocal, ku së bashku me pronarin, Shaban Xhymshiti, kanë zhvilluar një takim me pronarin e kompaninë prestigjioze Profine me seli në Gjermani, Dr. Peter Mrosek, në kuadër të së cilës operon edhe kompania e njohur gjilanase.
Kryetari Haziri e ka falënderuar Dr. Mrosek për vizitën në Gjilan, duke thënë se ky është shembulli më i mirë i investitorëve të huaj.
“Interplast Trocal është brend i Gjilanit dhe zhvillimi kaq i hovshëm na bënë të ndihemi mirë sepse një numër i konsiderueshëm i qytetarëve janë punësuar dhe i mbajnë familjet e tyre. Interplast Trocal është investim gjerman në kuadër të gjigantit Profine dhe shfrytëzoj rastin ta falënderoj Dr. Mrosek për investimin e jashtëzakonshëm. Kjo është dëshmia më e mirë se si Komunë kemi krijuar klimë të mirë të të bërit biznes”, tha Haziri.
Pronari i gjigantit botëror Profine, Dr. Peter Mrosek, ka thënë se ndihet I lumtur që po e viziton kompaninë lidere në Kosovë, Interplast Trocal.
“Interplast është lidere në Kosovë dhe jam shumë i lumtur që jam këtu. Unë mund të them se kam raporte shumë të mira me kryetarin tuaj, Lutfi Haziri dhe këto raporte respekti të ndërsjellë kanë ndikuar në zhvillim të biznesit tonë. Natyra e punës sime është që unë të udhëtoj në të gjitha vendet e botës ku kam klientë të respektuar dhe kjo po ndodhë edhe me Kosovën dhe Gjilanin”, tha ai.
Kurse, pronari i Interplast Trocal, Shaban Xhymshiti, e ka falënderuar investitorin gjerman, Dr. Mrosek për vizitën dhe bashkëpunimin e mirë dhe kryetarin e Gjilanit, për të cilin tha se ka krijuar një klimë të mirë për operimin e biznesit të tij.
“Është gëzim shumë i madh që një njeri kaq të respektuar e kemi në Gjilan, Dr. Mrosek. Ne besoj e kemi dhënë shembullin e mirë se si bashkëpunohet me të huajt, duke e zhvilluar partneritetin i cili krijon vende të reja pune”, tha Xhymshiti.
Në fund të vizitës, pronari i gjigantit botëror Profine, Dr. Peter Mrosek, ka paralajmëruar edhe investime në fusha të tjera në Gjilan dhe në Kosovë.
â