Prodhimi të nxitet edhe me subvencione
Prishtinë, 25 maj - Prodhimtaria ende nuk është zhvilluar sa duhet në Kosovë, prandaj vendi vazhdon të varet nga produktet e importit. Prodhuesit vendorë thonë se përballen me vështirësi, sidomos sa i përket politikave fiskale.
Kurse ekspertët e ekonomisë thonë se përveç politikave lehtësuese fiskale, prodhimi duhet të nxitet edhe me subvencionime të ndryshme.
Me gjithë vështirësitë, prodhuesit vendorë kanë arritur të kenë sukses në plasimin e produkteve të tyre brenda dhe jashtë vendit. Ndër to është fabrika ASK Foods nga Gjilani, e themeluar në vitin 2010. Kjo fabrikë ka rreth 110 të punësuar dhe merret me përpunimin e pemëve e perimeve. Barlet Namoni, menaxher i saj, thotë se aktualisht eksportojnë në 8 shtete të botës.
Por sipas tij, prodhuesit përballen me pengesa për shkak të politikave fiskale, por edhe qasjes në financa. Politika fiskale e cila momentalisht është duke u zbatuar në Kosovë është jo e favorshme për prodhuesit në Kosovë, pasi jemi të obliguar që edhe në lëndën e parë dhe repromaterial të paguajmë taksa, përderisa prodhuesit në Maqedoni, në Serbi e Mal të zi, janë të liruar prej këtyre taksave, thotë Namoni.
Vendimi i qeverisë për të hequr taksat në lëndën e parë do të ndikojë pozitivisht që prodhuesit të jenë më konkurrent si në tregun vendor po ashtu edhe në tregjet e jashtme, pohon Namoni.
Rritja e prodhimit të vendit është parakusht thelbësor për zvogëlimin e varshmërisë nga importi. Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës,
Isa Tahiri, thotë se zhvillimi i prodhimit, varet nga shumë faktorë.
Element qenësor është që të hiqen tatimet deri në masën sa është e lejuar që nuk dëmtohet shteti. Duhet të jepen shumë subvencione, sidomos në agrobiznes, në bujqësi, ku pjesa dërmuese e popullatës është e moshës rinore, thotë Tahiri.
Nxitja e prodhimit sipas profesorit Tahiri mund të bëhet me lirimin e disa produkteve nga tatimet, por edhe përmes subvencioneve.
Të hiqen tatimet p.sh. në fara të ndryshme, të hiqen tatimet në kuadrin e makinerive të ndryshme, pastaj të bllokohen produktet e jashtme, ato që prodhohen në vend, thekson Tahiri.
Liderët e partive politike të cilët tashmë kanë filluar fushatën parazgjedhore për zgjedhjet e 8 qershorit, gjatë vizitave tek bizneset vendore, janë duke u premtuar atyre shumë lehtësira për zhvillimin e veprimtarisë.
Përndryshe, si pasojë e nivelit të ultë të prodhimit, Kosova përballet me deficit të lartë në tregtinë e jashtme, ku sipas të dhënave të fundit të
Agjencisë së statistikave për muajin mars, eksporti mbulon importin me vetëm 11.4 për qind. (rtk)