Problemi i pensioneve me Zvicrën zgjidhet në vitin 2014
Prishtinë, 8 korrik - Problemi i pensionistëve të moshës dhe ato të invaliditetit kosovarëve që kthehen të jetojnë në Kosovë do të zgjidhet gjatë vitit 2014. Kështu ka bërë me dije ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale (MPMS), Nenad Rashiq, për gazetën Epoka e re.
Ai ka deklaruar se në fund të vitit do të ketë takime të nivelit të lartë me autoritetet zvicerane dhe janë duke i përgatitur dhe harmonizuar të gjitha dokumentet që janë të nevojshme që të ketë një marrëveshje të re ndërmjet dy vendeve për këtë problem.
Ndërprerja e pagesës së pensioneve ishte anulim i njëanshëm nga ana zvicerane, i marrëveshjes për sigurime sociale në mes të Zvicrës dhe ish-Jugosllavisë nga viti 1962. Shteti zviceran e ka filluar me Kosovën, pasi edhe me shtetet e tjera të rajonit ajo ende nuk ka marrëveshje të tillë, ka deklaruar ai.
Ministri Rashiq ka bërë me dije se që nga vendimi i shtetit zviceran, që është marrë në vitin 2010, Qeveria e Kosovës ka filluar angazhimet e saj për ta zgjidhur këtë problem, që i ka prekur qindra kosovarë që e meritojnë të marrin mjete e tyre.
I kemi dërguar të gjitha dokumentet që i ka kërkuar Qeveria e Zvicrës. Ajo ka kërkuar kohë ta bëjë analizimin e dokumenteve dhe pas një periudhe kohore, kemi rezultate. Unë zyrtarisht do të jem në Bernë më 4 dhjetor të këtij viti dhe presim ta bëjmë harmonizimin e dokumenteve, ka thënë ai.
Rashiq ka bërë me dije se gjatë këtij viti nuk do të ketë zgjidhje të këtij problemi, pasi ende ka punë në harmonizimin e dokumenteve.
Vendimi i Zvicrës, i padrejtë
Ministri i Rashiq ka vlerësuar se vendimi i Qeverisë së Zvicrës është i padrejtë, por ai ka pranuar se Zvicra ka zgjedhur Kosovën si shtetin e parë që të bëjë një marrëveshje të re pasi, sipas tij, shteti helvetik ka probleme të tilla edhe me shtetet e tjera të Ish-Jugosllavisë.
Kemi sinjale pozitive se do të zgjidhet ky problem. Jam optimist se në vitin e ardhshëm gjithçka do të jetë e rregulluar me marrëveshjen e re ndërmjet dy shteteve, ka thënë ai. Sipas tij, një eksperiencë të tillë Kosova e ka pasur edhe me dy shtetet e tjerë, me Malin e Zi dhe Maqedoninë.
Marrëveshje e re me Zvicrën do të jetë afatgjatë, ka thënë ai, duke shtuar se, sipas informacioneve zvicerane, janë 316 persona që kanë humbur të drejtën për ta marrë pensionin e Zvicrës.
Ky është numri aktual që na kanë dërguar autoritetet zvicerane, kurse ne si ministri presim të rritet më shumë numri i këtyre personave që përfitojnë nga Qeveria e Zvicrës, ka thënë ai.