Problemet ligjore, faktori kryesor në ngecjen e zhvillimit ekonomik në vend
Prishtinë, 9 korrik - Përfaqësues nga Oda e Afarizmit të Kosovës u pritën në takim nga deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Mimoza Kusari Lila.
Qëllimi i takimit ishte njoftimi reciprok në mes të palëve, gjendja aktuale lidhur me problemet ligjore si Ligji i Punës, Pushimi i Lehonisë, Ligji për Miniera dhe Minerale, Sektori i Energjisë dhe çështje të tjera të cilat po ndikojnë në ngritjen ekonomike.
Zyrtarja e OAK-së Rreze Cana, falënderoi deputeten për pritjen në takim duke prezantuar para saj problemet nëpër të cilat po kalojnë bizneset kosovare, të cilat kanë nevojë të domosdoshme për mbështjen e tyre.
Anëtari i Bordit të OAK, Hamdi Malushaj njoftoi znj. Kusari Lila më gjerësisht për klimën jo të favorshme të të bërit biznes në Kosovë, duke theksuar se problemet ligjore janë faktori kryesor në ngecjen e zhvillimit ekonomik në vend, si rezultat i mos harmonizimit të ligjeve me njëra-tjetrën dhe moszbatimit të tyre.
Një tjetër çështje me rëndësi e cila u diskutua në këtë takim ishte edhe pushimi i lehonisë, që ligji aktual po krijon pengesa në zhvillimin dhe avancimin e femrës, dhe faktin se shteti nuk është duke i trajtuar njëjtë gratë si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Për këtë fakt, përfaqësuesit e OAK-së kërkuan që deputetët të përkrahin kërkesën e bizneseve që shteti të marrë përsipër pushimin e lehonisë edhe në sektorin privat.
Në fund të takimit Malushaj kërkoi mbështetje në kërkesat e OAK-së, odë kjo e cila përfaqëson denjësisht bizneset, pa të cilat nuk ka zhvillim ekonomik të vendit.
Ndërsa Deputetja Mimoza Kursari Lila u shpreh e hapur për çdo bashkëpunim me OAK-në në të ardhmen dhe se do të ngrisin zërin e tyre në Kuvend.
Në këtë takim OAK u përfaqësua nga: Anëtari i bordit Hamdi Malushaj, Zyrtaret Rreze Cana dhe Doruntina Gashi.