Prizreni ndan 50 mijë euro për rrënimin e objekteve pa leje
Prishtinë, 13 shkurt - EC Ma Ndryshe ka bërë të ditur se në kuadër të projektit "Transparenca online e komunës së Prizrenit" ka marrë pjesë në mbledhjen e radhës të kryetarit të komunës, Ramadan Muja me drejtorët komunal, në të cilin janë miratuar disa konkluzione.
Qeveria komunale e Prizrenit me kërkesën e Drejtorisë së Inspektorateve, ka nxjerrë konkluzionin për lejimin e shpalljes së tenderit për përzgjedhjen e operatorit ekonomik që do të merret me ekzekutimin e ndërtimeve pa leje në territorin e komunës së Prizrenit.
Periudha e zbatimit sipas njoftimit përfshin afatin një vjeçar, pra vitin 2013, me çrast parallogaria e DI-së për ekzekutimin e objekteve pa leje kap shumën prej 50 mijë eurosh. Rezultatet e pritura nga zbatimi i këtij vendimi në bazë të propozimit të DI-së janë: respektimi i zbatimit të planeve urbanistike, realizimi i ndërtimeve sipas standardeve dhe rritja e buxhetit komunal.
Ekzekutivi lokal ka miratuar edhe propozimet e Drejtorisë për Shërbime Publike për shpalljen e tenderëve për ndërtimin e rrugëve lokale në fshatrat: Bregdri, Kojush, Krajk, Vërmicë dhe Romajë, (parallogaria 260 mijë euro), ndërtimin e rrugës lokale dhe kanalizimin në fshatin Randobravë (50 mijë euro), ndërtimin e rrugës lokale në fshatin Petrovë (60 mijë euro), si dhe ndërtimin e rrugëve Piranë-Reti, Dedaj-Rugovë, Krushë e Vogël-Piranë.
Edhe në rrugët e Arbanës parashihet rregullimi i trotuareve, pastaj zgjerimi dhe ndërtimi i rrugës kryesore për në fshatin Poslisht, ndërtimi i kanalizimeve të fshatrave Mazrek (30 mijë euro) dhe Dobrusht (40 mijë euro).
Kanë kaluar edhe propozimet e Drejtorisë së Arsimit rreth shpalljeve të tenderëve si:
Punimin e terrenit sportiv të SHFMU Lidhja e Prizrenit(parallogaria 30 mijë euro), Instalimin e ngrohjes qendrore të SHFMU Heronjtë e Lumës në Vërmicë (30 mijë euro), furnizimin me material shpenzues dhe ndërtimor për ushtrimin e punës praktike te nxënësve të SHMT 11Marsi në vlerë prej 20 mijë eurosh.
Ka kaluar edhe propozimi për shpalljen e tenderit për furnizim me inventar shkollor për vitin 2013, nga investimet kapitale, që kap llogarinë rreth 37,750 euro si dhe ndërtimin e dy klasave për mësim në SHFMU Mushnikova dhe në fshatin Drajçiq.
Janë miratuar edhe kërkesat e Drejtorisë së Administratës rreth lejimit të shpalljes së tenderëve për servisimin e veturave të tipit Golf 6 dhe Caddy (10 mijë euro), sikurse edhe furnizimi me material shpenzues për nevojat e komunës me vlerë prej 60 mijë eurosh.
Drita e gjelbër i është dhënë edhe Drejtorisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale rreth shpalljes së tenderit për hartimin e planit dhe ndërtimin e banesave për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së.
Bordi i drejtorëve ka aprovuar edhe kërkesat e Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik për rehabilitimin e rrugës turistike për në Kalanë e Kabashi dhe formimin e komisionit për identifikimin e objekteve (shtëpive) në Qendrën Historike të Prizrenit për rehabilitimin e fasadave.