Prizreni merr vendim për rekrutimin e 20 nëpunësve të përkohshëm
Prizren, 19 qershor - EC Ma Ndryshe në kuadër të projektit "Transparenca online e Komunës së Prizrenit" gjatë kësaj jave ka marrë pjesë në mbledhjen e radhës të kryetarit të komunës, Ramadan Muja me drejtorët komunal, ku janë miratuar disa konkluzione.
Ekzekutivi lokal me kërkesën e Drejtorisë së Administratës ka nxjerrë konkluzionin për lejimin e rekrutimit të njëzet nëpunësve për kryerje të shërbimeve të veçanta në Komunën e Prizrenit, për kohë të caktuar, pas kërkesës së disa drejtorive, për mungesë të kapaciteteve njerëzore pë realizimin e detyrave dhe përgjegjësive në punë.
Vendimi është marrë duke pasur parasysh sezonin e verës dhe fluksin e qytetarëve, me çrast qeveria lokale ka arsyetuar se iniciativa në fjalë do të mundësonte ofrimin e shërbimeve pa vonesa, por edhe plotësimin e obligimit ligjor për aprovimin e pushimeve vjetore të punonjësve të përhershëm. Paga mujore për nëpunësit sezonal do të kap vlerën prej 150 euro bruto.
Më kërkesë të Shoqatës së Bashkësisë Hebraike të Kosovës, në Sektorin për Çështje Pronësore Juridike pranë Drejtorisë së Administratës, Bordi ka marrë konkluzionin për dhënien me qira të dy zyrave për nevojat e shoqatës në fjalë, në Ndërtesën e ish-Mbrojtjes Popullore.
Në këtë takim Qeveria komunale ka miratuar edhe kërkesën e Drejtorisë për Shërbime Publike, për lejimin e shpalljes së tenderit për pastrimin e varrezave myslimane, krishtere dhe ortodokse në Prizren, ku ndarja e mjeteve bëhet nga buxheti komunal në kategorinë mallra dhe shërbime.
Ndërsa Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport i është dhënë mbështetja financiare për shënimin e 26 Qershorit - Ditës Ndërkombëtare kundër substancave narkotike, projekt i paraparë në politikat rinore si komponent i katërt i saj.
Ekzekutivi lokal ka dhënë mbështetje për udhëtim zyrtar në Durrës të Shqipërisë të dy zyrtarëve komunal nga Drejtoria e Administratës në takimin e grupit për identifikimin e nevojave për trajnim, si dhe të dy shërbyesve civil të komunës për udhëtimin zyrtar në Nish të Serbisë për pjesëmarrje në Rrjetëzimin për Zhvillim Lokal punues nga Projekti i Komisionit Evropian.
Gjithashtu është miratuar edhe kërkesa e OJQ EC Ma Ndryshe që bën monitorimin e ekzekutivit komunal, në lidhje me pjesëmarrjen në takimet e rregullta të kryetarit Muja me bordin këshilldhënës edhe pas skadimit të afatit me Marrëveshjen e Memorandumit, ku monitoruesit do ti përcjellin vetëm takimet e bordit duke u përjashtuar nga takimet e parabordit.