Prizreni ka mbyllur 2012-ën me fatura të papaguara prej 933 mijë euro
Prizren, 20 shkurt - Në kuadër të projektit të monitorimit të punës së ekzekutivit komunal të Prizrenit, EC Ma Ndryshe gjatë muajit shkurt ka shqyrtuar pasqyrat financiare të komunës për periudhën janar-dhjetor 2012.
Në bazë të Raportit Vjetor Financiar për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2012, EC Ma Ndryshe ka hasur në disa të dhëna që paraqesin shqetësime serioze sa i përket mënyrës së menaxhimit të parasë publike nga ana e qeverisë komunale.
Analiza e thjeshtë e këtij raporti tregon se komuna e Prizrenit vazhdon që të operoj me shuma të mëdha të faturave të papaguara.
Neni 15 i Raportit Vjetor Financiar 2012 shpalos detyrimet e komunës së Prizrenit. Në shënimin nr. 28 jepet pasqyra e faturave (obligimeve) të papaguara, që në total arrin shifrën prej 933 mijë eurosh.
Vlera më e madhe e faturave të papaguara është në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve me 450 mijë euro, pastaj vijnë: pagat me 180 mijë euro, shërbimet komunale me 123 mijë euro, investimet kapitale me 101 mijë euro dhe subvencionet me 79 mijë euro.
Ndërkaq shënimi nr. 29 në këtë nen tregon se detyrimet e komunës së Prizrenit mund të jenë edhe më të mëdha. Detyrimet kontingjente që mund të prekin buxhetin komunal kapin vlerën prej 1 milionë e 743 mijë eurove, e që përfshijnë kompensime të ndryshme, pagesën e të ardhurave personale, borxheve e pretendimeve tjera.
Shuma e detyrimeve të komunës së Prizrenit është e madhe, ndërkohë që ka pas rënie të dukshme të investimeve kapitale. Derisa në vitin 2011 janë shpenzuar 14 milionë e 494 mijë euro për investime kapitale në vitin 2012 janë shpenzuar 12 milionë e 182 mijë euro ose 2.3 milionë euro më pak investime kapitale.
EC Ma Ndryshe shpreh shqetësimin edhe në lidhje me rënien në inkasimin e të hyrave vetanake. Komuna e Prizrenit gjatë vitit 2012 ka planifikuar që të inkasoj 5 milionë e 491 mijë euro, por inkasuar vetëm shumën prej 4 milionë e 330 mijë eurove, përderisa në vitin 2011 pat inkasuar 4 milionë e 999 mijë euro.
Përkundër kësaj performanse jo të kënaqshme buxhetore, komuna e Prizrenit ka paguar më shumë për shpenzimet e udhëtimit, pasi që në vitin 2012 janë shpenzuar 96 mijë euro në krahasim me vitin 2011 kur janë shpenzuar 74 mijë euro, pastaj për shërbimet e telekomunikimit ka paguar 95 mijë euro në krahasim me vitin 2011 kur ka paguar 42 mijë euro, për shërbime 312 mijë euro në krahasim me 298 mijë eurot e vitit 2011, derisa për reprezentacion janë harxhuar 88 mijë euro, apo 3 mijë euro më pak se në vitin 2011.
EC Ma Ndryshe përkujton se Raporti i fundit i Auditorit të Përgjithshëm për komunën e Prizrenit kishte konstatuar se pushteti lokal nuk ka arritur që të qeveris mirë me paranë publike, derisa RVF-ja e vitit 2012 nuk jep dëshmi të forta për përmirësimin e menaxhimit financiar.
EC Ma Ndryshe përsëri kërkon nga kryetari i Komunës së Prizrenit që të jetë i kujdesshëm në shpenzimin e parasë publike, pasi që ai ka obligim ligjor dhe moral që të menaxhojë me përgjegjësi paratë e taksapaguesve të Prizrenit.
Në marrjen e vendimeve buxhetore, kryetari i Komunës duhet ti ketë parasysh standardet e
qeverisjes së mirë, të menaxhimit adekuat me paranë publike si dhe nivelin socio-ekonomik të qytetarëve në përgjithësi.
EC Ma Ndryshe rekomandon edhe anëtarët e Kuvendit të Komunës që të ushtrojnë në mënyrë më efikase rolin e mbikëqyrësit të ekzekutivit, sidomos kur bëhet fjalë për buxhetin komunal dhe mënyrën e realizimit të tij.