Prizren, vendimi për inspektoratin parasheh dënime me të holla
Prizren, 27 shkurt - EC Ma Ndryshe në kuadër të projektit "Transparenca online e Komunës së Prizrenit" ka marrë pjesë në mbledhjen e radhës të kryetarit të komunës, Ramadan Muja me drejtorët komunal, ku janë miratuar disa konkluzione.
Ec Ma Ndryshe ka njoftuar se qeveria komunale e Prizrenit ka miratuar propozimin e Drejtorisë së Inspektoratëve lidhur me propozim vendimin për inspektoratin komunal. Në kuadër të propozim vendimit për inspektoratin komunal të Prizrenit janë paraparë masa ndëshkuese.
Dispozitat e këtij vendimi të propozuar sipas Ec Ma Ndryshe, parashohin dënime në të holla prej 500 deri në 2500 euro ndaj personit juridik për kundërvajtje dhe atë: nëse nuk e zbaton procesverbalin apo aktvendimin e inspektorit komunal, pengon inspektorin gjatë kryerjes së punës ose refuzon që inspektorit tia ofrojë shënimet të cilat ai i kërkon.
Nëse nuk e lajmëron inspektorin komunal për kryerjen e masave të urdhëruara, me gjobë prej 100 deri 250 euro do të dënohet personi përgjegjës e kështu me radhë. Propozim vendimi i është përcjellë KPF-së dhe KK-së për miratim të mëtejmë.
Ekzekutivi lokal ka miratuar kërkesat e Drejtorisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale për shpronësimin e pronës së paluajtshme në rrugën Nënë Terezë", te ish-banesat e Solidaritetit, ku pas shpronësimit do të ndërtohet kompleksi i ri banesor dhe të tillat do ti dedikohen familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe familjeve skamnore.
Po ashtu është miratuar kërkesa për lejimin e mjeteve për mirëmbajtjen e Strehimores së Përkohshme Kolektive Farmakos në Prizren, që strehon 22 familje me gjithsejtë 103 anëtarë.
Kanë kaluar edhe kërkesat e Drejtorisë për Shëndetësi për blerjen e paisjeve medicinale, për nevojat e shërbimeve shëndetësore në QKMF, QMF-ve dhe AMF-ve, (parallogaria 70 mijë euro), sikurse edhe vendimi për mbështetje financiare për realizimin e vizitave mjekësore për klasat I,V dhe IX, në shkollat fillore të Komunës së Prizrenit (parallogaria 7 mijë euro).
Drejtorisë për Ekonomi dhe Financa i është dhënë drita e gjelbërt për formimin e bordit për shqyrtim të ankesave të tatimit në pronën e paluajtshme për vitin 2013, sipas Ligjit për tatimin në pronë të paluajtshme nr.03/L-204.
Ec Ma Ndryshe ka theksuar se në këtë mbledhje kanë kaluar edhe kërkesat e Drejtorisë të Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik për lejimin e shpalljes së tenderit Ndriçimi i objekteve monumentale, (parallogaria 20 mijë euro) si dhe Hartimin e Projektit të Ndërtimit të Qendrës Informtive Turistike të Komunës së Prizrenit.
Drejtorisë për Shërbime Publike i është lejuar shpallja e tenderit për rirregullimin e rrethojave metalike dhe paisjeve ambientale, nëpër hapësira të gjelbëruara, sikurse edhe mbjellja e fidanëve drunore dekorative në qytet, si dhe lejimi i mjeteve për ndërtimin e kanalizimit në rrugenAli P. Tepelena 1.
Ekzekutivi lokal ka miratuar njëzëri edhe konkluzionin e Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural për emërimin e anëtarëve për komisionin Komunal për regjistrimin e pronave të bujqësisë për vitin 2013 që do të ofrojë të dhëna reale bujqësore për nivelin qendror dhe lokal të qeverisjes.