20 Nëntor 2024

Prizren, inspektorati nuk posedon një listë të objekteve për rrënim

Prizren, 14 maj - Në kuadër të projektit të monitorimit të punës së ekzekutivit komunal të Prizrenit, EC Ma Ndryshe gjatë javëve të kaluara ka shqyrtuar çështjen e ekzekutimit të ndërtimeve pa leje nga Drejtoria e Inspektorateve.

Hulumtimi i “EC Ma Ndryshe” ka nxjerrë në pah faktin se Drejtoria e Inspektorateve respektivisht Inspektorati i Ndërtimtarisë nuk posedon një listë të objekteve për rrënim.

EC Ma Ndryshe ka kërkuar nga Drejtoria e Inspektorateve të bëjë publike listën e objekteve apo ndërtimeve pa leje që duhen ekzekutuar (rrënuar) brenda territorit të komunës së Prizrenit. Në vend të listës, Drejtoria ka ofruar një përgjigje se është në pritje të aprovimit të Ligjit për Legalizimin e objekteve.

“Gjatë vitit 2012 inspektorët e ndërtimtarisë kanë marrë gjithsej dhjetë konkluzione për ekzekutimin e detyrueshëm të objekteve të karakterit të ndryshëm, mirëpo për shkaqe objektivo-subjektive presim që në radhë të parë të aprovohet në terren Ligji për Legalizimin e objekteve dhe ato objekte të cilët nuk i plotësojnë kriteret e Ligjit për Legalizim do të rrënohen”, thuhet në njoftimin e DI-së.  

Qeveria komunale e Prizrenit në shkurt të këtij viti, DI-së ia pat miratuar kërkesën për hapjen e tenderit për kontraktimin e një firme që do të merrej me ekzekutimin e ndërtimeve pa leje dhe punimeve tjera, me parallogaritë prej 50 mijë eurosh.  

EC Ma Ndryshe konsideron se mungesa e listës së objekteve që duhen rrënuar dëshmon se DI-ja dhe Qeveria komunale nuk janë të përkushtuara sa duhet në vënien e rregullit urbanistik brenda komunës së Prizrenit. Ekzekutivi lokal mund të veproj në mënyrë energjike edhe në bazë të ligjeve në fuqi dhe thirrja hipotetike në ligjet që do të miratohen nuk është gjë tjetër vetëm se ikje e pastër nga përgjegjësia për veprim dhe vënie të rregullit në fushën e ndërtimeve. 

EC Ma Ndryshe deri më tani shumë herë ka shprehur shqetësimin me gjendjen e krijuar në fushën e urbanizmit, ku sipas DUPH-së rreth 80 për qind të ndërtimeve nuk i janë përmbajtur lejeve të ndërtimit dhe planeve rregulluese, si në Jeni Mëhallë, Lakuriq, Dardani, Prevallë, etj.

EC Ma Ndryshe i bën thirrje kryetarit të komunës që urgjentisht të kërkoj nga DI-ja hartimin dhe publikimin e një liste të objekteve pa leje dhe me tejkalime që duhen rrënuar;

EC Ma Ndryshe rekomandon qeverinë lokale që sa më parë të nis procedurat për rrënimin e objekteve pa leje dhe të atyre që nuk i janë përmbajtur planeve rregulluese urbane;

EC Ma Ndryshe konsideron se komuna duhet të veproj konform përgjegjësive ligjore që ka dhe të marrë veprime konkrete për ndalimin e shkeljeve të kritereve urbanistike. Në të kundërtën mungesa e gatishmërisë së qeverisë komunale për t’u ballafaquar me shkelësit e lejeve dhe planeve, krijon hapësirë për dyshime rreth përfshirjes së ekzekutivit të komunës në “krimin urbanistik” që e ka kapluar Prizrenin viteve të fundit. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)